Politike

Rama për deklaratën e Lavrovit: Sarkazëm! Ballkani i Hapur është i mbyllur për të

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sarkazëm deklaratën mbështetëse të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov për Ballkanin e Hapur.

Ai mori si provë se kjo nismë nuk i shërben Rusisë faktin që Lavrov anuloi vizitën e parashikuar për në Serbi pasi vendet e Ballkanit nuk i dhanë leje për të fluturuar në hapësirat e tyre ajrore.

“Të peshkohesh kaq kollaj nga sarkazma e një personazhi të mirënjohur botërisht për gjuhën sarkastike dhe manipulimi i kësaj sarkazme nga ata që i fryjnë zjarrit të dasisë dhe urrejtjes për interesa të politikës së ditës në katundet ballkanike është për të ardhur keq. Nëse zotëria do të ishte mbështetësi i Ballkanit të Hapur, Ballkani do të ishte minimalisht për të. Por Ballkani për të është i mbyllur dhe nuk ka marrë leje për të hyrë në Ballkan nga vendet e Ballkanit”, deklaroi Rama.

Kryeministri foli në një konferencë për shtyp me gazetarët shqiptarë që e kanë ndjekur në Ohër për punimet e samitit të radhës në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”. Për këtë nismë, Kryeministri foli për interesim e pjesëmarrje të madhe.

Për të ardhmen e afërt foli për dy objektiva në kalendarin e bashkëpunimit me Serbinë e Maqedoninë e Veriut. I pari lidhej me ushqimin.

“Pjesëmarrja është shumë e madhe, interesimi është shumë i madh, mbështetja shumë bindëse, ndërkohë që ne jemi këtu edhe për të finalizuar disa hapa të tjerë të rëndësishëm që do të hedhim në vijim në aspektin e sigurisë ushqimore, do të kemi një sesion të posaçëm në Beograd, i cili do të shoqërohet dhe me një panair të madh të ushqimit dhe verërave të Ballkanit të Hapur”, tha Rama.

I dyti lidhej me transportin dh infrastrukturën energjitike.

“Do të kemi një sesion të veçantë në Maqedoninë e Veriut për projektet e transportit, një sesion tjetër për turizmin në Malin e Zi. Kemi rënë dakord të ngremë një grup të përbashkët për krizën që vjen nga lufta në mënyrë që të ndihmojmë njëri-tjetrin, aq sa është e mundur për të ulur barrën që ka për çdo vend nga kjo krizë”, u shpreh ai.

Për Kosovën tha se vendi në tryezë e ka bosh, por se e respektonte vendimin e saj për ta refuzuar këtë karrige.

“Kosova është sovrane dhe i merr vendimet vetë për veten e saj. Vendi për Kosovën në këtë tryezë është aty, askush nuk e zë, askush nuk e mbush dot nëse nuk e mbush vetë Kosova. Unë nuk dua të them asgjë më shumë sepse çfarë kam pasur për të thënë e kam thënë. Ftesa është e hapur por e respektoj vendimin e Kosovës për ta lënë vendin bosh”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë