Politike

Vuçiç s’e fsheh hatërmbetjen ndaj Shkupit për bllokimin e Lavrov, Rama: Të flasim troç!

Ceremonia e nisjes së samitit të Ohrit në kuadër të nismës së “Ballkanit të Hapur” nisi me ‘hatërmbetjen’ e Aleksandër Vuçiçit ndaj Maqedonisë së Veriut, sado që Presidenti serb u përpoq që ta fshehë këtë.

Punimet nisën me fjalën e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. Me një fjalim të parapërgatitur, ai u ndal te çështjet teknike të këtij takimi, që lidheshin me turizmin dhe kulturën.

Fill pas tij e mori fjalën Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ai hoqi dorë nga fjalimi i parapërgatitur dhe ndonëse nuk e përmendi, në fjalën e shkurtër që mbajti u vunë re doza hatërmbetjeje për vendimin e Maqedonisë së Veriut që mbylli hapësirën ajrore për ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke detyruar këtë të fundit që të anulonte një vizitë të planifikuar në Beograd.

“Dimitari (Kovaçevski) e kishte përgatitur shumë bukur fjalimin. Më pëlqeu! Edhe unë kisha përgatitur një të tillë, por po them nja dy fjalë të tjera”, e nisi Presidenti serb fjalën e tij të shkurtër.

“Kjo është nisma jonë, e njerëzve të Ballkanit, e atyre që kanë kuptuar se duhet të bashkëpunojmë dhe se mundemi të zgjidhim vetë problemet e tyre . Ftoj në këtë nismë Bosnjen, Malin e Zi dhe Prishtinën. Ne presim helikopterët e rinj që kemi blerë për shuarjen e zjarreve dhe të ndihmojmë miqtë tanë në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut se do të jetë një verë e nxehtë”, vijoi Vuçiç.

Rama kërkoi nga pjesëmarrësit që të flasin ‘troç’ dhe duke përmendur disa shifra të bashkëpunimit tregtar, ekonomik dhe qarkullimit të mallrave dhe njerëzve e mbrojti nismën.

“Nuk mund të vijmë në takim në Ballkanin e Hapur dhe të flasim siç flasim kur shkojmë në Bruksel. Lufta në Ukrainë e bën Ballkanin e Hapur më të domosdoshme këtë nismë. Nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për të ditur marrëdhënien speciale mes Serbisë dhe Rusisë”, tha Rama.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se “Ballkani i Hapur”, ka mbështetjen e të gjitha bizneseve si mundësi e mirë për rajonin.

“Koha e sfidave të mëdha që kërkon vendime të guximshme, për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, për një jetë më të mirë, për evropeizmin e rajonit. Janë hapur korsitë në Tabanoc, mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë dhe Qafë Thanë, mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, [Ballkani i Hapur] po jep rezultate në lëvizjen e lirë të mallrave, deri në heqjen e përfundimtare të barrierave”, ka thënë Kovaçevski.

Më tej ai ka theksuar se qëllimi i nismës është integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi për të forcuar stabilitetin.

“Qëllimi ynë është i qartë, Ballkani duhet të jetë pjesë e BE-së. Lufta në Ukrainë krijon mundësi për ndikim të vendeve të treta andaj duhet të bashkëpunojmë për forcimin e stabilitetit… Me rëndësi është që BE-ja të pranojë se zgjerimi i saj është interes strategjik,. Vizioni ynë për Ballkanin është integrimi në BE. Kërkojmë që BE-ja ta pranojë mundin tonë dhe rajoni të bëhet pjesë e BE-së”, ka deklaruar Kovaçevski.

Përmes një video-mesazhi samitit iu drejtua edhe i dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

“Kjo është një nismë ekonomike dhe jo politike. Është me rëndësi që të mbetet një nismë ekonomike”, tha Escobar.

Zyrtari i DASH u shpreh se SHBA e mbështet këtë nismë dhe ftoi vendet të gjitha vendet e rajonit që të bëhen bashkë.

Bosnjen, Kosovën dhe Malin e Zi e ftuan edhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministri Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë