Pasi bëri një rezyme të gjendjes në të cilën, sipas tij, e mori arsimin në 2013 dhe të reformave të ndërmarra në dy mandatet e para, Edi Rama shpalosi një plan veprimi ambicioz për mandatin e tretë në këtë sektor.
Kryeministri foli për rritje rrogash me 40 për qind për mësuesit, ndërtim dhe rindërtim shkollash, premtoi dhënien fund të mësimit me dy turne në qendrat urbane dhe mësimit kolektiv në zonat e thella, e deri tek ndërtimi i kampusit universitar, atij të akademisë së arteve, të politeknikut dhe të akademisë së sigurisë.
Sa u takon politikave në arsim, Rama përsëriti se edhe në mandatin e tretë do të përqëndrohet tek arsimit profesional dhe përgatitja e brezit të ri me sfidat e kohës përmes edukimit në fushat e IT dhe të teknologjisë së informacionit. Pjesë e kësaj ambicieje është edhe futja e anglishtes në arsimin fillor, që nga klasa e parë. Rama tha se qëndra që pritet të hapet te Piramida në Tiranë nuk do të jetë e vetmja dhe se projekti do të shtrihet në të gjitha zonat urbane të vendit.
“Të pajisim brezin tjetër me bazën tjetër, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Modeli i parë i ngritur në Tiranë, që do të zhvillohet më tej, te Piramida e diktatorit, e kthyer në një epiqendër të Shqipërisë së të ardhmes, do të ofrojmë një program 10-vjeçar kodimi për fëmijët 10-12 vjeç ku fëmijëve do t’u mësohen themelet e botës së teknologjisë, njohuri për ndërveprimet brenda saj. Qëndra e parë është kjo e Tiranës, qëndra të tjera do të ngrihen në Shkodër, Vlorë, Dibër, Korçë, Kukës, Berat dhe në gjithë Shqipërinë. Ne do të ngremë një program kombëtar për arte dhe zeje për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë premtoi më shumë peshë të sporteve në arsimin në vend, duke nisur nga klasa e parë deri në universitete dhe përmbylljen e licencimit të drejtuesve të shkollave brenda mandatit të tretë.
“Deri në 2025 të gjithë drejtuesit e shkollave do të licencohen si menaxherë për të drejtuar një qëndër komunitare, siç janë shkollat”, u shpreh ai.
Sa i takon arsimit të lartë, Rama foli për ambicien për të sjellë në vend programe dhe standarde të institucioneve arsimore prestigjoze ndërkombëtare, që nga Universiteti Teknik i Stambollit, e deri tek akademitë e sigurisë, amerikanen për ushtrinë dhe italianen për policinë. Kreu i Qeverisë premtoi mbështetje të bollshme financiare për universitetet publike, që këto të fundit të ofrojnë programe arsimimi e bashkëpunimi me universitetet më të njohura europiane.
“Do ta jëpim 10 mln euro në vit për të stimuluar universitetet publike për hapjen dhe ofrimin e programeve të arsimit me universitetet më të mira europiane”, tha Rama.
Në këtë dalje, kreu i Qeverisë iu rikthye fotove të kandidatëve, që sipas tij, opozita propozon për ministër të Arsimit. Në këtë foto shfaqej Mark Marku, Albana Vokshi dhe Agron Gjekmarkaj.
“Ja ku i keni tre ministrat e Arsimit të KÇK-së, dy personazhe të klubeve satirike dhe një zonjë e njohur për fjalorin shpifës foltore më foltore, sharëxhinj, kunjëxhin, që vënë kunjën për çdo gjë që bëhet dhe çdo punë që niset kundër reformës në arsim. Imagjinoni njërin nga këta tre në krye të arsimit dhe merrni me mend arsimin e fëmijëve tuaj në duart e këtyre. O së bashku ne edhe ju, drejt asaj maje pavarësisht kusureve tona, ose rrokapjepthi mbrapsht si guri i Sizifit me ata që nuk e meritojnë në botë që të qeverisin Shqipërinë, pasi i patën shanset dhe gjithmonë bënë të njëjtën gjë”, deklaroi ai.
Zgjedhja për shqiptarët, sipas Ramës, edhe në këtë rast është e thjeshtë. “Më 25 prill luhet fati i të lindurve në këtë shekull në Shqipëri”, vijoi Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje