Në më pak se 30 minuta prezantimi të njësisë speciale anti-informalitet, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga zv-ministrja Vasilika Vjero dhe ministrja Delina Ibrahimaj prezantuan shumëçka mbi rezultatet e punës së kësaj njësie për një periudhë 5 mujore kontrolli ku grupi i targetuar ishin kategoria e tatimpaguesve me risk kryesisht në sektorin e biznesit.
Kryeministri Edi Rama tha se si pasojë e këtij kontrolli ka pasur rezultate pozitive të vetkorrigjimit.
Ai nënvizoi se publikimi ose jo i pagave do të jetë jetë pjesë e Këshillimit të ardhshëm Kombëtar.
Ndërsa ministrja e Financave Delina Ibrahimaj paralajmëroi se do të ketë kontrolle dy herë në vit për tatimpaguesit me risk, nga 1 qershori ligj të ri për tatimin mbi pagat për profesionet e lira si dhe ndryshim të ligjit për procedurat tatimore.
“Ajo që është më e rëndësishme, ajo që dua të ndaj me ju si reflektim konkret për ne është që punën kryesore e bëri komunikimi intensiv i agjencisë përkatëse të tatimeve me bizneset. Dhe faktikisht kërkesa e përsëritur që bizneset të shikojnë situatën me pjesën informale të pagave ka dhënë rezultate domethënëse.
Nga njëra anë ato tregojnë se pasqyra formale zyrtare e shifrave të pagave që u bënë edhe publike nuk është pasqyra reale.
Dhe se vetëm nga ky korrektim i bërë nën presionin e opinionit publik mbi të gjitha bizneset dhe si rezultat i një shtyse që i dhamë biznesit kemi një rritje të pagës mesatare në Shqipëri.
Dhe kemi mbi 25% të punësuarve që kanë kapërcyer nga niveli i pagës minimale në një nivel më të lartë. Ata nuk merrnin pagën minimale të deklaruar por merrnin më shumë.
Perceptimi negativ mbi ekonominë dhe biznesin për shkak të këtyre deformimeve ishte prezent më tepër se sa duhej. Unë nuk dua të zgjatem më shumë se këtu jam me ministren. Së pari ne duke parë këtë eksperiencë e cila erdhi si rezultat i një ngjarje aspak të dëshiruar. Dalja e pagave në publik. Mendojmë që është e udhës që në këshillimin e ardhshëm kombëtar do i pyesim shqiptar nëse është më mirë që njëherë në vit t’i bëjmë të gjitha pagat publike”, tha Rama.
Zv-ministrja e Financave, Vasilika Vjero tha më tej se është rritur numri i tatimpaguesve nga 33 në 58 % që tregojnë rritje të pagës.
Për të gjithë numrin e tatimpaguesve ka rritje pozitive, ku 26% e tyre kanë reaguar duke rritur në mënyrë vullnetare pagat.
Synimi i këtij kontrolli sipas zv-ministres së Financave ka qenë vetkorrigjimi i tatimpaguesve me risk
“ 52% e pozicioneve të punës me pagë minimale janë ulur. Ndërkohë që jemi të kënaqur që pjesa tjetër e tatim paguesve që janë informuar në mënyrë intensive, është ulur me 60 mijë numri i pozicioneve me pagë minimale. Paga mesatare e muajit mars ka pësuar rritje. Ndërkohë kemi rritje të mirë dhe kontributeve për sigurimet shoqërore. Të gjithë kanë reaguar pozitivisht. Është rritur numri i tatim paguesve qe deklarojnë rritje të pagës. Për të gjithë numrin e tatim paguesve kemi rritje pozitive.
Është arritur një reduktim i punonjësve me pagë minimale. Imagjino sa e madhe është mundësia për tatim paguesit për t’u korrektuar. Janë vendosur shumë masa administrative. Janë bërë shumë vlerësime”, tha Vjero.
Sërish kryeministri Rama ndërhyri kur tha se aktualisht kemi një page mesatare të rritur mbi 100 mije leke të vjetra.
Rama paralajmëroi kontrolle edhe për ata individë që bëjnë jetë të shtrenjte dhe deklarojnë pak.
“Ne do të shkojmë më tutje në ballafaqimin e pagave të deklaruara me stilin e jetesës dhe kjo vlen sidomos për ata që marrin paga të larta dhe i shmangin deklarimeve në mënyrë të ndryshme…”, tha ai
Për nismat konkrete foli Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj kur tha se nga 1 qershori qeveria do prezantojë ligjin e ri të tatimit mbi të ardhurat që do targetojë profesionet e lira.
“Ato që sot individët çelin biznese ua shesin të tjerë bizneseve si shërbime duke eliminuar pagesën e taksave. Kjo nuk do jetë më e mundur se ne baze të ligjit profesionet e lira do paguajë tatimin
Ne kemi marrë masa e kemi analizuar ku duhet të ndërhyjmë me përshkallëzimin e gjobave.
Më konkretisht do bëjmë disa ndryshime në ligjin për procedurat tatimore dhe tek shkeljet. Nëse më parë kishte rivlerësim apo gjobë të barabartë me 100% të totalit të rilverësimit tani do shkojmë në 200%.
Do dyfishojmë masën për mosdeklarimin e punonjësve si dhe për fshehjen e pagës për bizneset e mëdha si dhe për mosdeklarimin e saktë të pagës nga punonjësit.
Sa i përket ligjit për inspektimin në punë s’do jetë më mundësia për dhënien e një rekomandimi për një biznes po dhe aty do kalojmë në penalitete…”, tha ajo.
Në fund të takimit, Kryeministri Rama kujtoi nga muaji qershor do të nisë të aplikohet zero taksë për pagat deri në 40 mijë lekë të reja dhe nënvizoi sërish rritjen për kategoritë e caktuara nga mësuesit, mjekët, infermierët, ushtarakët dhe punonjësit e policisë jashtë vendbanimit.
“Ne kemi qenë të vetëdijshëm që është gjëja e duhur që duhet bërë. Nuk do të rrisim asnjë taksë. Por kjo prezumon që të gjithë të marrin përsipër pjesën e tyre. Ndryshe nuk funksionon. Është një moment inkurajues ndarja me ju dhe publikun e këto rezultateve që kemi arritur bashkarisht.
Nuk ka ardhur si pagesë më shumë se paguanit por dalja nga errësira në dritë dhe i jep mundësi atyre njerëzve të kenë kontribute shëndeti dhe pensionesh më të plota. Ka ndikuar çuarja lart në 40 mijë lekë të reja që hyn në fuqi së shpejti.
Kjo e bën të lehtë për ju sepse për çdo pagë deri në 40 mijë lekë është zero taksa. Për çdo pagë deri në 50 mijë lekë të reja është gjysma e asaj që ka qenë dhe që është dhe tani. Do rrisim pagat edhe për mësuesit, mjekët, infermierët, ushtarakët, punonjësit e policisë jashtë vendbanimit. Është një frymëmarrje e rëndësishme në këto kushte që jemi’, tha Rama
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje