Në Shqipëri vaksinimi ndaj Covid-19 do të fillojë në mesin e muajit Janar, nëse i referohemi deklaratës së kryeministrit Edi Rama në konferencën për shtyp të së martës.
Rama u shpreh besimplotë që në mes të janarit, do të vaksinohen të parët mjekët e infermierët dhe më pas do vijohet me grupet e tjera sic janë mësuesit, policët dhe të moshuarit.
“Dua t’ju bëj me dije se kompanitë, duke nisur nga Pfizer, bëjnë marrëveshje të cilat sidoqoftë janë të lidhura me shtetet, pra nuk ka një marrëveshje tani, e cila bëhet drejtpërdrejt me kompaninë e në mënyrë bilaterale ti blen sipas asaj që ofron.
Por marrëveshja është e lidhur me shtetet me të cilat Pfizer ka vendosur vijat e para të komunikimit, kur them shtetet, kam parasysh BE në këta rast si një entitet i tërë.
Nga ana tjetër në SHBA, ku është baza më e madhe prodhuese ka një ndalesë me një akt të presidentit që asnjë dozë nuk mund të dalë nga SHBA
E gjithë ky ngërç i takon vetëm fazës së parë se prodhimi do rritet në muajt në vijim.
Megjithatë ne jemi të bindur që do fillojmë vaksinimin pa pritur që të kalojmë ose të kalojë ky ngërç”, tha ai.
Kryeministri sqaroi se procesi do të nisë nga janari. “Do nisim brenda janarit e unë kam tendencë të besoj që në mes të janarit ne do jemi në gjendje të nisim vaksinimin duke bërë të njëjtën gjë si të gjithë me mjekët e infermierët e duke u shtrirë me mësuesit, punonjësit e policisë e ata që janë më të moshuarit.
Jemi në diskutime edhe me Astra Zeneca edhe me Moderna dhe besoj që shumë shpejt do finalizojmë edhe marrëveshjen me Pfizer që lidhet me kapacitetet që janë në shtete të ndryshme.
Kjo është arsyeja pse kjo mbetet në këtë fazë një punë intensive diplomatike dhe komunikimi nga të katër anët, nuk ka ekzistuar që nga dita e parë mundësia për të bërë kontrata direkte të palidhura me strategjinë e përgjithshme.
Ata që kanë akses kanë hyrë në kornizën e strategjisë. Ne jemi shumë pranë finalizimit të një marrëveshje të shkruar për të cilën kemi nisur të punojmë që nga takimi në Nju Jork me shefin e madh të kompanisë dhe ekipi ynë me përfaqësuesit e Pfizer çon dhe merr draftet përkatëse. Ne punojmë politikisht e diplomatikisht për të siguruar harmonizmin mes gatishmërisë së Pfizer për të dhënë dozat dhe gatishmërisë së një vendi për të hapur rruge se ndryshe nuk funksionon”.
Rama tha se edhe për vaksinën tjetër Astra Zeneca po vijojnë kontaktet.
“Sot kemi kontaktin e dytë për Astra Zenecan ku jemi të përfshirë disa prej nesh dhe disa prej tyre, ndërkohë jemi në kontakt me Modernan jo aq sa me Pfizer, në këtë rast si të gjithë ne, nuk kemi paragjykime do t’i marrim nga të mundemi dhe pastaj do të shohim me tej sesa kaq me vaksinat e tjera por për momentin jemi të fokusuar këtu…”
Sa i përket propozimit përmes Ambasadës Rusë për të sjelle vaksinën ruse, kryeministri Edi Rama sqaroi se ajo ishte thjesht një meme.
“Ishte një meme sepse një shtet serioz është e papërshtatshme që të bëjë provokime të tilla… dhe kur them provokim nuk po i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është një provokim qesharak, dhe nuk është mirë që një vendi serioz si Rusia të bëhet qesharake përmes këtyre postimeve dhe një ambasadë të sillet sikur është një seksion i Portokallisë, apo një konkurrent i Portokallisë…shpreh keqardhje sepse nuk shoh arsye që ambasada e Rusisë të përfshihet në prodhimin e memeve.
Sa i përket aspektit tjetër jemi të fokusuar tek vaksinat e Pfizer, Astra Zeneca dhe Modernas dhe me këto jemi në komunikim dhe faktikisht shtetet (BE) me të cilat komunikojmë janë të drejtuara drejt këtyre kompanive nuk kemi asnjë arsye të shprehim rezerva apo të paragjykojmë qoftë atë kineze apo atë ruse respekt nuk ka asnjë problem por për momentin duke parë edhe të tjerët jemi të fokusuar në këto drejtime. Nëse do të lind nevoja patjetër pa asnjë paragjykim ne do do të shohim alternativa të tjera, por për momentin nuk jemi të fokusuar…”, tha Rama, duke shtuar se, “postimi i ambasadores ruse më duket i papërshtatshëm dhe qoftë edhe një ndjese nga ana e tyre do të ishte i mirëpritur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje