Deputeti i PD-së, Agron Shehaj thotë përmes disa dokumentesh që ka bërë publike në Facebook se, “Kryeministri Rama i ka dhënë një pjesë të parkut të Butrintit, familjarëve të ish-ministrit Damian Gjiknuri, aktualisht numri 2 i Partisë Socialiste”
“Qeveria vazhdon favoret korruptive për ministrat, ish ministrat dhe të afërmit e tyre. Vendimi më i fundit i Komitetit të Investimeve Strategjike, që kryesohet nga Edi Rama është dhënia e statusit të investitorit strategjik për ‘Manastir Resort’.
50% e Kompanisë që përfitoi statusin e investitorit strategjik zotërohet kompania ANDI.
Kompania Andi zotërohet nga djali i xhaxhait të ish-ministrit të infrastrukturës Damian Gjiknuri, sot sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste.
Pra gjysma e resortit që përfitoi nga qeveria statusin e investitorit strategjik dhe lehtësirat që të ofron ky status zotërohet nga njerëzit e afërt të Damian Gjiknurit”, shkruan Shehaj.


Sipas tij, ky nuk është problemi i vetëm.
“Resorti ‘Manastir Resort’ do të ndërtohet pranë parkut arkeologjik të Butrinit
Pak kohë më parë qeveria e zvogëloi parkun duke nxjerrë 800 hektarë nga zona e mbrojtur, pikërisht që aty të ndërtonte resort kushëriri i Damian Gjiknurit.
Kjo qeveri është kampione e korrupsionit, ndërsa ligji i investimeve strategjike është instrumenti korruptiv përmes të cilit ajo po grabit tokat e bregdetit.
I bëj thirrje SPAK të nisë urgjentisht hetimet për këtë aferë të neveritshme në mënyrë që shqiptarët të mos grabiten nga qeveria dhe zyrtarët e Partisë Socialiste”, shkruan ai.
Pas këtij denoncimi të Agron Shehajt ka reaguar Damian Gjiknuri. Ai thotë se nuk e ka të afërt personin në fjalë dhe paralajmëron ngritjen e një padie ndaj deputetit demokrat.
“E siguroj deputetin Agron Shehaj se unë nuk jam si ata të partisë së tij që mohuan baxhanakun e ndjerë në Gërdec. Nuk kam ama se si të pranoj që çdokush që mban mbiemrin Gjiknuri dhe që merret me biznes duhet të jetë automatikisht djali i xhaxhait tim. Çdokush mban përgjegjësi e përgjigjet për ato që bën. Le ta provojë gjykata e do ta mbaj unë përgjegjësinë, por nëse unë nuk e kam djalë xhaxhai personin e përgojuar nga Agron Shehaj, atëhere Agroni duhet të më dëmshpërblejë për cenim të qëllimshëm të imazhit!”, thotë Gjiknuri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje