Genti Cakaj është ministër në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Ai ka kompetenca të deleguara, sa kohe që Presidenti i Republikës Ilir Meta, nuk firmosi për ta çuar si kryediplomat.
Kjo ishte përplasja e parë publike mes Ilir Metës si President dhe kryeministrit Edi Rama.
Në fund të muajit Janar, vetë Rama tha publikisht jashtë ambienteve të Kuvendit se ai kishte inicuar një padi për Ilir Metën në mungesë të gjykatës Kushtetuese. Rama po ashtu, inicoi edhe një sërë padish të tjera, duke i vënë kapak qëndrimeve të tij me një lëvizje politike për të shkarkuar Ilir Metën në Kuvend, nxitur edhe nga vendimi i këtij të fundit për të mos dekretuar zgjedhjet e 30 qershorit.
Rama mbajti një fjalim të gjatë në Kuvend për arsyet se pse Meta duhej shkarkuar, duke e zhvlerësuar figurën e tij deri në nivelin e çizmes simbol të bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.
“Mos prisni të merrem më me një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit, i cili është katandisur në çizme rezervë e Doktorreshës së Shkencave. Gjykata e re Kushtetuese do t’i japë fund kësaj maskarade, ndërsa vëmendja jonë do jetë e gjitha tek njerëzit e zero tek çizmet…”
…Në kushtet e pandemisë situata mes tij dhe Ilir Metës është ngrohur jo pak. Jo sepse palët kanë ndryshuar qëndrim. Thjesht pandemia për dreq ta imponon këtë situatë. Në një pozicion krejtësisht komod (se fundja nuk ka çfarë të humbasë), Edi Rama i veshur casual dhe krejt i çlirët u shfaq në emisionin “Real Story”, duke e ndarë veten e tij nga ajo e para do muajve.
I pyetur për hetimin parlamentar ndaj Metës e për pasojë edhe shkarkimin e tij, Rama u përgjigj:“Kjo është çështje e parlamentit, jo e imja…”,
Që shkarkimi i Metës nga ana e mazhorancës po i përket së kaluarës kjo nuk do mend e as kalem. Mandati i komisionit hetimor është shtyrë deri në fund të muajit Korrik me argumentin se pritet Komisioni i Venecias. Më pas vijnë pushimet parlamentare dhe gjithçka rinis me sesionin e ri parlamentar në shtator.
Ajo që të bën përshtyje në deklaratën fare pa fajde të Edi Ramës është se kryeministri ka lënë pas instiktin e para do muajve dhe i është kthyer analizës së ftohtë politike, duke ia lënë topin në derë opozitës e cila këto kohë është tulatur mjaft nga qëndrimet e Metës. Ashtu si edhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, që nuk u shfaq në tryezën e koalicionit opozitar.
Ai që fiton pikë në këtë rast është vetëm Rama i vlerësuar këto kohë bash nga “armiku” i tij më i madh në politikë dhe i pa bezdisur nga deklaratat partizane vend e pa vend të Monika Kryemadhit se, “ai duhet shporrur njëherë e mirë”
Meta deri diku, Basha… opozita thjesht po vrasin kohën dhe mendjen kot se ç’po ndodh me Ramën?
Asgjë me vlerë nuk po ndodh…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje