Politike

Si do të jetë fleta? Votohet me numra, Bindja pa logo

Kolegji Zgjedhor ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, duke rrëzuar ankimimin e Partisë Demokratike, që kërkonte që në fletën e votimit të shkruhen edhe emrat e kandidatëve.

Kolegji u mblodh pasditen e së dielës dhe në seancë dëgjoi pretendimet e të dyja palëve. PS kërkoi që të mbetej në fuqi vendimi i KAS për fletën e votimit me emra, duke deklaruar se kjo fletë ishte më e thjeshtë për votuesin, garantonte parimin e barazisë mes votuesve dhe ishte më lehtësisht e menaxhueshme nga administrata zgjedhore.

PD nga ana tjetër tha se fryma e Kodit Zgjedhor kërkon identifikimin e kandidatëve me emra dhe jo me numra, ndërsa akuzoi socialistët se synojnë që të fshehin emrat e kandidatëve problematikë pas numrave në fletën e votimit.

Kërkesa e dytë e Partisë Demokratike ishte përballë Bindjes së Astrit Patozit. PD kërkoi heqjen e logos së kësaj partie, me arsyetimin se ajo kishte ngjashmëri të madhe me logon e saj dhe mund të ngatërronte votuesit.

Kolegji e pranoi këtë kërkesë të demokratëve dhe vendosi që Bindja Demokratike të paraqitet pa logon e saj në zgjedhjet e 25 prillit.

Këto vendime të Kolegjit i hapin rrugë prodhimit të 3.6 milionë fletëve të votimit, ku kompania sllovene ka kërkuar të deri në 20 ditë kohë. Por, si do të jetë kjo fletë?

Sipas vendimit të Kolegjit dhe modeleve të hartuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, fleta e votimit do të ketë të shënuara vertikalisht njëra pas tjetrës partitë, ose koalicionin që garon me në krah emrin e kryetarit të partisë, ose koalicionit garues.

Poshtë partive, ose koalicionit do të jenë me radhë numrat nga 1 deri në numrin e mandateve sipas qarkut. Si shembull, në Tiranë numrat do të jenë nga 1 deri në 36, aq sa mandate shpërndahen nga ky qark.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë