Politike

Zgjedhjet në rrezik, prodhimi i fletëve të votimit kërkon 20 ditë kohë

Kompania e kontraktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për printimin e fletëve të votimit për zgjedhjet e 25 prillit njoftoi se e ka një mision të pamundur të prodhojë 3.6 milionë fletë, sa ka kërkuar KQZ, për 10 ditë.

Kompania sllovene “Cetis” i ka kthyer përgjigje një kërkese të KQZ-së, që i kërkonte të dinte nëse kapacitetet prodhuese të saj bëjnë të mundur prodhimin dhe transportin e fletëve të votimit drejt Shqipërisë nga datat 12 deri më 22 prill, pra tre ditë para zgjedhjeve.

Në përgjigjen e saj, kompania sllovene thotë se pengesa për të dërguar fletët e votimit sipas afateve të kërkuara nga KQZ, nuk lidhet me çështje financiare, por me çështje teknike.

“Referuar letrës tuaj të 2 prillit për shqyrtimin e mundësisë së dërgimit të fletëve të votimit brenda 10 ditëve, nga 12 deri më 22 prill… nuk ka asnjë çështje kostoje, por i vetmi motiv tani është që të ruajmë marrëdhënien e mirë me një partner afatgjatë dhe emrin e mirë të kompanisë”, thotë kompania sllovene në letrën dërguar KQZ.

Por pse nuk e ka përmbushur dot kërkesën e KQZ-së për të dërguar brenda 10 ditëve fletën e votimit?

“Duhet të kemi parasysh disa kufizime teknike sa herë që kompanitë përballen me projekte printimi për zgjedhjet. Ka një kohë të caktuar për dezajnin dhe formatin e fletës së votimit. Këto procese zakonisht kërkojnë disa ditë kohë”, thuhet në letrën e kompanisë “Cetis”.

Kompania i përgjigjet edhe pyetjes se sa kohë kërkon për të prodhuar 3.6 mln fletë votimi, aq sa ka porositur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 prillit.

“Printimi i 3.6 mln fletëve kërkon afërsisht 14 ditë kohë dhe kjo kohë mund të zgjatet me 3-4 ditë në varësi të çështjeve teknike gjatë prodhimit. Pas prodhimit është paketimi dhe transporti. Në këto kohë të vështira epidemie, gjërat mund të ndryshojnë nga momenti në moment dhe ne mund ta kemi të vështirë transportin e fletëve të votimit”, thuhet në letër.

Sllovenët njoftojnë se vonesat mund të lidhen me testimet anti-Covid të shoferëve dhe lejet e tjera të posaçme që mund të nevojiten për transportimin e fletëve. Për këtë arsye, “Cetis” thotë se për të garantuar misionin e saj në prodhimin me sukses të fletëve të votimit kërkohen të paktën 20 ditë kohë.

Letra e kompanisë sllovene lëshon alarmin se zgjedhjet e 25 prillit mund të dështojnë për shkak të mungesës së fletëve të votimit dhe jo për faj të “Cetis”, por për faj të përplasjeve të palëve politike në lidhje me modelin e tyre, që ka përfunduar deri në Kolegjin Zgjedhor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë