Politike

‘S’ka as dashuri dhe as armiqësi të përjetshme…” Nga ‘non grata’ e ‘kapomafie’, te refuzimi në 2009, Berisha takon Gloverin

Sali Berisha ka lënë mënjanë hatërmbejtjen 27-vjeçare me Shefen e Misionit të ODIHR, Audrey Glover. Nga shpallja e saj ‘non-grata’ prej tij e deri tek etiketimet si “kapomafie e vëzhgimit të zgjedhjeve”, Sali Berisha në një pozicion krejt tjetër politik dhe në raport të ndryshuar me ndërkombëtarët, ka pritur në zyrën e tij shefen e Misionit të ODIHR, Audrey Glover. Sepse siç tha vetë ai pas takimit “nuk ka as dashuri dhe as armiqësi të përjetshme”

“Nuk ka as dashuri dhe as armiqësi të përjetshme. Në këtë kontekst, ato që kanë pasur për zgjedhjet e ’96-s, kalojnë dhe u afrohen 28 viteve. Ajo që mund të them unë se Glover, në zgjedhjet e fundit ka bërë një raport profesional.

Unë e kam vlerësuar raportin e saj. Raporti i saj nëse do merrej me seriozitet nga qeveria dhe komuniteti ndërkombëtar, qeveria nuk do ishte kurrë në këtë gjendje.

Ai raport bazë kryesore për të gjithë transformimin e kuadrit ligjor. Ai raport u shpërfill në mënyrë të tmerrshme nga qeveria dhe nga eksponentë ndërkombëtar. Ai ishte raporti më profesional që mund të jetë shkruar ndonjëherë”, tha Berisha.

Audrey Glover, në anën tjetër, është ndalur disa sekonda para se të ngjiste shkallët e selisë blu për të takuar politikanin më të ‘izoluar’ ndërkombëtarisht për momentin në Shqipëri, por me faktor në këto zgjedhje.

Për ironinë e fatit raportet e ‘non gratas’ kishin ndryshuar. Sot Sali Berisha është i shpallur non- grata nga DASH dhe Britania e Madhe

Historia e “luftës” mes Glover dhe Berishës daton prej vitit 1996 kur ODIHR i cilësoi ato zgjedhje më negativet, ndërsa Berisha atëbotë President e shpalli ambasadoren  “non-grata” me një lum akuzash drejt saj.

Akuza që u risollën në vëmendje në zgjedhjet e 2009-ës ku qeveria e drejtuar prej tij nuk e priti atë në asnjë takim, madje zyrtarisht, përmes Komisionit Qendror te Zgjedhjeve kërkoi edhe largimin e saj. Jo vetëm. Berisha e dubloi rolin e saj me misionin e asamblesë parlamentare të OSBE-së, në krye të të cilit u vendos Volfgang Grossruck, i njohur për lidhjet e afërta me qeverinë e atëhershme.

Në zgjedhjet e 2015 ambasadorja Glover u vendos në krye të 24 vëzhguesve afatgjatë, e po ashtu në zgjedhjet e 2019-ës. Me kalimin e viteve akuzat u zbutën, e po aq edhe Berisha.

Audrey Glover është përfaqësuesja e parë në nivel ndërkombëtar që e njeh edhe ‘de jure’ si faktor Berishën nga opozita. Kur u pyet në konferencën e parë për shtyp pas mbërritjes në Tiranë nëse do të takonte Sali Berishën, Glover u përgjigj se do të takonte çdo faktor në këto zgjedhje

Glover nuk ka takuar ende PD-në zyrtare të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.

Për këtë të fundit, Berisha e kishte një koment

“Pata një takim me Shefen e Misionit të ODIHR, zonjën Gover ku i paraqita për dështimin e përpjekjeve për ta lënë vendin pa opozitë, vendosmërinë e PD për të çuar përpara proçesin elektoral sikurse e kemi shprehur para shqiptarëve.

Mendoj se zonja Glover ishte tek ne një takim për tu informuar mbi pikëpamjet faktet dhe zhvillimet sipas PD të këtyre zgjedhjeve në Shqipëri. Ne paraqitëm të gjithë problematikën që e konsiderojmë shumë të rëndësishme për një proces zgjedhor normal. Kjo ishte e gjitha biseda”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë