Politike

Zgjedhjet e 14 majit / Shefja e ODHIR në zyrën e Metës, më pas takoi Berishën (fotot) 

Shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet vendore të 14 majit Audrey Glover u pyet në konferencën e parë për shtyp kur mbërriti në Tiranë nëse do të ketë një takim me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Glover u shpreh se ishte e hapur të takojë këdo që merr pjesë në procesin zgjedhor.
“Do isha e lumtur të takohesha me këdo që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor” u përgjigj Glover. “De jure”, Sali Berisha nuk është i përfshirë në zgjedhje, por ‘de facto’ po. Kjo u pa edhe në hapjen e fushatës në ‘Air Albania’ bashkë me Ilir Metën ndërsa kandidatët e tij do të garojnë nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Audrey Glover u takua me Sali Berishën në mesditë. Zyra e shtypit e Berishes nxorri edhe fotot e para nga takimi.

Me herët gjatë paradites ajo ka zhvilluar një takim edhe me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Ne foto: Ilir Meta ne takim me Audrey Glover

Pas takimit, Meta ka shpërndarë një njoftim për mediat.

“Ndava me znj. Glover shqetësimin lidhur me listat e zgjedhësve dhe qëndrimet e Ministrisë së Brendshme dhe KQZ-së, të cilat kanë krijuar problematika lidhur me ndryshimin e qëllimshëm të tyre për të krijuar paqartësi tek zgjedhësit, duke shkelur ligjin dhe praktikën e konsoliduar 20 vjeçare për to.

Gjithashtu ndava me të shqetësimin për shpërdorimin flagrant të fondeve financiare publike, përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet, duke dhunuar Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër.

Nënvizova qëndrimin e njëanshëm të KQZ-së, e cila me vendimet dhe qëndrimet e saj nuk po kontribuon për mbajtjen e zgjedhjeve me standarde, por përkundrazi po dëmton standardet dhe po krijon tensione dhe konflikte të panevojshme që kanë ndikim në ecurinë para dhe pas zgjedhore.

Vura në dukje edhe shqetësimin për mosndëshkimin e veprimtarive të paligjshme të qeverisë dhe mosmarrjen parasysh edhe të mjaft shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile.

Gjithashtu ndava me znj. Glover edhe problemin e kapjes së medias nga qeveria, gjë që është në kundërshtim me interesin e zgjedhësve, të cilët janë shumë të interesuar dhe duan të njihen gjerësisht me kandidatët dhe programet e tyre për të bërë zgjedhjen e duhur ditën e votimit”, shkruan Meta në Facebook


Shefja e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR, Audrey Glover, deklaroi më herët se çfarë ndodh para dhe pas zgjedhjeve të 14 majit, është po aq e rëndësishme sa dita e zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë