Statuti i ri i Partisë Socialiste ndryshon thelbësisht mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të kësaj force politike në bazë, përmes prezantimit të strukturave dhe organizmave të reja, por edhe përmes detyrimit të llogaridhënies ndaj anëtarësisë.
Janë një sërë ndryshimesh që propozohen, duke filluar që nga kompetencat dhe fuqia e drejtuesit politik të qarkut, deri te kancelari në nivel bashkie.
Sa i takon drejtuesit politik të Qarkut, deri më tani ai ka qenë një pozicion kryesisht që aktivizohej në fushatë si i dërguar i kryetarit të partisë, apo Kryesisë, që nuk është i parashikuar në statut. Me statutin e ri, PS thotë se formalizon siç duhet një praktikë të konsoliduar me shumë sukses në të dyja zgjedhjet e fundit, duke përcaktuar rolin e funksionin e drejtuesit politik të qarkut si drejtuesi më i lartë politik i gjithë strukturës politike të PS në qark dhe njëkohësisht anëtar kryesie.
Këto ndryshime morën shtysë nga disa fërkime që patën drejtuesit politikë të qarqeve me drejtuesit vendorë të partisë në zgjedhjet e fundit parlamentare, mes të cilave ajo e Dritan Lelit me Damian Gjiknurin në Vlorë.
Statuti parashikon organizimin e Partisë në nivel vendor, pra rregullohet mënyra e zgjedhjes dhe funksionimit të:
- Organizatës Socialiste si njësia bazë organizative dhe elektorale e partisë;
- Këshillit Socialist të Njësisë Administrative si strukturë koordinuese e organizimit dhe veprimtarisë në njësinë administrative përkatëse;
- Asamblesë Socialiste të Bashkisë si organi më i lartë vendimmarrës i partisë në bashki;
- Kryetarit të partisë së bashkisë;
- Sekretariatit ekzekutiv (Kancelari) në nivel bashkie, që është një nga risitë e Statutit, parashikuar për herë të parë, si organ që përzgjidhet nga Sekretariati ekzekutiv i Partisë dhe është përgjegjës për çdo aspekt administrativ të funksionimit të partisë në nivel bashkie; i cili përgjigjet njëkohësisht te Kryetari i partisë në Bashki dhe në Sekretariatin Ekzekutiv në selinë qendrore. Ky funksion i ri do të jetë me kohë të plotë dhe do të përgjigjet për të gjithë anën dokumentare, administrative, kuotizacionin, duke ndjekur dhe raportuar zbatimin e akteve të organeve më të larta të partisë në nivel vendor;
- Këshillit Koordinues të partisë në qark si struktura kryesore koordinuese e partisë në nivel qarku. Në të përcaktohet më qartë dhe roli i drejtuesit politik të qarkut duke i dhënë këtij atributet e drejtimit më të lartë politik të strukturave të partisë në nivel qarku. Drejtuesi politik zgjidhet nga Asambleja Kombëtare dhe është anëtar i Kryesisë.
Në përmbajtje të tij Statuti parashikon organizimin e strukturave të ndryshme të Partisë në diasporë apo vendet pritëse të shqiptarëve, për të siguruar pjesëmarrjen në jetën politike, sociale dhe kulturore të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Organet drejtuese të partisë në nivel qendror parashikohen në Kreun 6 të Statutit, ku përfshihen:
- Kongresi i Partisë si organi më i lartë vendimmarrës, i cili ka një sërë kompetencash si miratimi i Programit dhe Statutit të Partisë, administrimi i procesit të zgjedhjes së Kryetarit të Partisë, zgjedhja e Asamblesë Kombëtare;
- Asambleja Kombëtare e Partisë e cila organizon dhe drejton punën dhe veprimtarinë politike dhe organizative të Partisë midis dy kongreseve;
- Kryesia e Partisë si organi politik drejtues i veprimtarisë së partisë;
- Kryetari i Partisë si drejtuesi më i lartë politik i partisë.
Nenet 31-40 parashikojnë specifikisht mënyrën e zgjedhjes së organeve drejtuese, kompetencat e tyre në ushtrimin e detyrës, përbërjen dhe drejtimin e tyre.
Pjesa më e madhe e rregullave procedurale, kritereve dhe proceseve që rregullojnë zgjedhjen e të gjithë niveleve të drejtimit në PS do të vijojnë të rregullohen me akte të veçanta të miratuara nga AK, apo sic quhen ndryshe Libri i Rregullave, duke shmangur detajet e panevojshme në statut; njëkohësisht duke krijuar fleksibilitetin e nevojshëm për përshtatjen apo ndryshimin e rregullave në varësi të nevojës së kohës apo sfidave elektorale.
Sekretariati Ekzekutiv i Partisë, që është organ politik me funksione ekzekutive dhe drejton veprimtarinë e përditshmë të partisë sipas sektorëve specifikë që mbulojnë sekretarët normohet në Statut në nenin 41.
Statuti përcakton detyrimin e anëtarësisë që të paguajë kuotat për të pasur të drejtat. Nëse pagesa e anëtarësisë nuk kryhet për një vit, atëherë pezullohet përkohësisht zgjedhja në organet drejtuese të partisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje