Bota

Tre liderë të BE mbërrijnë në Kiev, spitali i Mariupolit mbahet peng nga rusët

Gazeta Si – Në Kiev kanë mbërritur kryeministrat e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë. “Kjo luftë është rezultat i tiranit mizor që sulmon civilët e pambrojtur. Tragjedia që po ndodh duhet të ndalet sa më parë. Prandaj jemi në Kiev”.

Këto janë fjalët me të cilat Mateusz Morawiecki, kreu i qeverisë së Polonisë, njoftoi se kishte arritur në kryeqytetin ukrainas së bashku me zëvendëskryeministrin polak Jaroslaw Kaczynski, kryeministrin e Republikës Çeke, Petr Fiala, dhe ministri i parë slloven Janez Jansha.

“Objektivi i kësaj vizite është të riafirmojë mbështetjen e qartë të të gjithë Bashkimit Evropian për sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës dhe të paraqesë një paketë të gjerë ndihme për shtetin dhe shoqërinë ukrainase”, thuhet në deklaratën e Varshavës.

Pak ditë pas një sulmi vdekjeprurës në një maternitet dhe spital fëmijësh në qytetin-port të Mariupolit, në jug të Ukrainës, spitali më i madh i këtij qyteti është nën kontrollin e forcave ruse. Aty ndodhen rreth 400 persona, të cilët raportohet se po mbahen peng.

Guvernatori rajonal, Pavlo Kyrylenko thotë se spitali i kujdesit intensiv, i cili ndodhet në perëndim të Mariupolit, u shkatërrua vetëm një ditë pas sulmit në maternitet. Megjithatë stafi vijoi t’i vinte në ndihmë pacientëve, të fshehur në bodrume.

Kyrylenko, citoi një punonjës të spitalit i cili mësohet të ketë thënë se rusët detyruan 400 persona nga shtëpitë që ndodheshin pranë që të shkonin tek ky spital dhe se tashmë asnjë prej tyre nuk mund të largohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë