Politike

“Uroj mos mbushen kutitë”. Kulluri për zgjedhjet në PD: E njëjta situatë si me Bashën

Jo të gjithë demokratët e cilësojnë votimin për kryetar partie këtë të diel si shpalosje demokracie dhe dritë shprese për shqiptarët, ashtu siç e cilësoi Sali Berisha pas hedhjes së votës në selinë e PD-së.

Edvin Kulluri e krahason procesin të ngjashëm me atë të 13 qershorit të vitit të kaluar, kur u rizgjodh Lulzim Basha.

“Ashtu siç pritej dhe e kam konstatuar prej muajsh, situata në Partinë Demokratike mbetet po aq e rëndë sa përpara 9 shtatorit 2021! Sot në orën 11:15 shkova të votoj për kandidatët për kryetar të PDSH pranë qendrës se votimit në degën nr. 2, Tiranë. Me keqardhje konstatova se krejt ndryshe nga Referendumi i 18 dhjetorit, pjesëmarrja në votime ishte shumë e ulët. Në 18 dhjetor, ashtu siç edhe mediat disponojnë pamjet filmike, radha e votuesve në pritje për të votuar ishte e gjatë. Sot, ishte e njëjta situate si në 13 qershor kur Basha kërkoi të zgjidhej pas 4 zgjedhjesh të humbura! Sërish pas një viti, atmosfera është dramatike. Mungesë totale optimizmi, indiferencë dhe zhgënjim!”, shkruan ai.

Sipas Kullurit, PD nuk po del dot nga kriza e thellë politike që e ka pushtuar të paktën që nga viti 2017!
“Leximi i keq qëllimisht apo jo qëllimisht që ju bë Kuvendit të 11 dhjetorit dhe Referendumit të 18 dhjetorit nga Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit na çoi në rezultatin e 6 marsit dhe zgjedhjet e sotme!”, vijon ai.

Në fund, Kulluri uron “që Komisioni Elektoral mos të bëjë të njëjtën gjë si në 13 qershor, ku u mbushën kutitë e votimit duke manipuluar hapur zgjedhjet për kryetar të PDSH!”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë