Sali Berisha është rikthyer në krye të Partisë Demokratike, pasi numërimit të votave në zgjedhjet për kryetar të organizuara nga Komisioni i Rithemelimit.
Berisha kishte përballë Ibsen Elezin. Gara nuk pati asnjë surprizë. Ish-Kryeministri, sipas rezultatit të publikuar u zgjodh me mbi 93 për qind të votave në krye të PD-së.
Në fjalimin e mbajtur pas numërimit të votave, Berisha e cilësoi zgjedhjen e tij “mrekullia e vërtetë e Shqipërisë në shekullin e 21”.
“Anëtarët dhe anëtaret e PD, njerëz të idealeve më të larta, më fisnike, njerëz të lirë, bënë historinë në një proces të mrekullueshëm. Ky besim i jashtëzakonshëm i tyre është për mua detyrim i madh, detyrim shumë i madh, por unë kam bindjen se së bashku me ju, ne do t’ia dalim, ne jemi në mision, ne jemi burra dhe gra, djem dhe vajza, që kemi për pasion lirinë, që kemi për mision proceset që njohin PD t’i njohë shoqëria shqiptare dhe të shpëtojmë Shqipërinë nga një regjim që kurrë nuk e meriton”, tha ai.
“Më pak se një vit më parë, në 13 qershor në këtë sallë, diku aty në qoshe, gazetarët pasi votova më pyetën: Çfarë mendon për rikthimin tënd dhe a parashikon Berisha ndonjëherë të rikthehet në krye të PD-së? – Përgjigjja ime ishte kjo: “Never say never”! Ndaj dhe unë do t’i them sonte çdo të riu dhe të reje shqiptare, çdo demokrati dhe demokrateje shqiptare, “Never say never”, ne do të fitojmë”, vijoi Berisha.
Në fund, një falenderim për Ibsen Elezin.
“Një përshëndetje të veçantë kam për Ibsen Elezin, rivalin tim, i cili është një demokrat i vërtetë me integritet, që zhvilloi një garë të qytetëruar”, deklaroi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje