Kryeministri Kyriakos Mitsotakis përfundoi vizitën në Tiranë të martën në mbrëmje me shpresën se Shqipëria “do të bëjë atë që i takon” për të vijuar me dakordësinë Athinë-Tiranë për referimin e mosmarrëveshjes lidhur me përcaktimin e zonave ekskluzive ekonomike detare të dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Gazeta greke ekathimerini e përshkruan mosmarrëveshjen si “një debat që vazhdon mes dy vendeve me shumë kompleksitete ligjore”, Mitsotakis megjithatë shprehu besimin se “progres i rëndësishëm” ishte bërë muajt e fundit.
Kryeministri grek tha për më tepër se ka “mirëkuptim të ndërsjellë” me homologun e tij shqiptar Edi Rama, i cili megjithatë më herët në një intervistë televizive tha se “Greqia hyri në Bashkimin Evropian duke mashtruar,- diçka që ai tha se nuk do ta bënte kurrë në emër të Shqipërisë”.
Gazeta greke shkruan gjithashtu se, Athina i kishte kërkuar Uashingtonit dhe Berlinit që të ndërmjetësonin me Tiranën muajt e fundit për ta çuar çështjen përpara, por pa rezultate thelbësore pasi nuk pasoi asnjë takim në nivel teknik.
Mbetet për t’u parë nëse kontaktet e fundit në Tiranë do të japin shtysën e nevojshme për të lëvizur çështjen, citon ekathimerini
Ndryshe nga hera e fundit, mediat greke nuk cituan më as vizitën e ministres së jashtme, Olta Xhaçka në Athinë. E as detajin e rëndësishëm të tyre se gjithçka për detin ishte lënë për tu vendosur në Tiranë me vizitën e kryeministrit grek.
Mitsotakis erdhi, por pakti detar u artikulua vetëm nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Ai la të hapur rrugën (ndryshe nga paraardhësi) për të dhënë pëlqimin për negociim për paktin por gjithnjë konform vendimit të gjykatës Kushtetuese.
“Ju siguroj se çdo çështje e vjetër ose e re do të trajtohet me seriozitetin maksimal, sipas normave të fqinjësisë së mirë dhe parimeve të reciprocitetit dhe në respekt të Kushtetutës, Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010, të drejtës ndërkombëtare dhe si vende aleate të NATO-s”, tha Presidenti Begaj.
Krejt shkurt e përcolli njoftimin kryeministri Edi Rama. Me fjalë të përgjithshme, duke e kanalizuar gjithë takimin (bazuar njoftimit) në një rëndësi të dorës së dytë:

“Në takimin bilateral Kryeministri Edi Rama bisedoi me homologun grek mbi marrëdhëniet mes dy vendeve, situatën në rajon, Shqipërinë në procesin e integrimit në BE dhe mbështetjen e Greqisë në këtë rrugëtim”.
Kësaj here, më shumë impresionuan pamjet e zyrës së kryeministrit Rama, përqafimi për Dendias, dhurata drejtuar homologut, dhe në fund shëtitja në bulevard, sesa fjalët.
Një përpjekje diplomatike pati edhe nga ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias që shoqëronte kryeministrin e Greqisë në Tiranë.
Zyra e grupit ‘Alibeaj’ njoftoi të martën (në mes të samitit) një takim të beftë mes disa deputetësh të grupit të tij dhe ministrit grek. Kinse një takim sa kohë marrëveshja detare Shqipëri-Greqi u firmos në kohën kur Lulzim Basha ishte ministër i Jashtëm.
Në njoftimin për shtyp thuhej se fokus i diskutimit ishin marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Deputetët demokratë diskutuan me ministrin e jashtëm grek për pensionet e shqiptarëve në Greqi, ndërsa rruga për këtë çështje është shtruar nga qeveritë respektive. Takimi i parë teknik Tiranë-Athinë është mbajtur. Për çështje kohe pritet takimi tjetër drejt arritjes më pas të një marrëveshje politike mes dy vendeve.
Deputetët e PD u ‘lodhën’ së binduri deri edhe për Kosovën, por asnjë fjalë publike për atë që mbetet nyja gordiane mes dy vendeve dhe vetë qëllimi i takimit; Pakti detar. Aty ku diplomacia greke mes halleve me vendet e tjera fqinje po këmbëngul shumë.
Kryeministri i Greqisë Mitsotakis do të vizitonte fshatrat e banuara nga minoriteti etnik grek në Shqipërinë jugore të mërkurën, por plani i ditëve me diell të Shqipërisë u anulua “për shkak të kushteve të motit që nuk lejuan që helikopteri i tij të ulej atje”. Kështu e cituan mediat greke arsyen e anulimit të cilat në përgjithësi e përcollën vizitën e kryeministrit grek dhe delegacionit që e shoqëronte në Tiranë më shumë me “shpresa” sesa me fakte. Këto të fundit (qysh prej premtimit në vitin 2020) sa duket do të vonojnë edhe do kohë, por ende pa datë konkrete… Pak a shumë si kalendat greke / N.P
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje