Pas më shumë se 20 orësh debate dhe përplasje me opozitën, socialistët votuan programin dhe përbërjen e kabinetit “Rama 3” pak para orës 07:00 të mëngjesit të së premtes.
Qeveria e re u miratua me 77 vota pro, ku 74 janë të vetë Partisë Socialiste dhe tre votat e tjera janë të Partisë Socialdemokrate. 53 deputetë votuan kundër dhe një ishte abstenim.
Pas këtij votimi të Kuvendit, hapi i fundit i Ramës dhe kabinetit të tij është betimi para Presidentit Ilir Meta. Ceremonia e betimit është vendosur për t’u kryer ditën e shtunë, për shkak të axhendës së Presidentit këtë të premte, që ndodhet në Korçë.
Seanca maratonë nisi në orën 10 paradite. Në mesditë Rama lexoi programin, ndërsa në orën 16:00 u ishte përcaktuar seanca e hapjes së debateve me Kryeministrit dhe ministrat. Rregullorja përcakton se këtë debat e hap kreu i opozitës.
Por, Lulzim Basha refuzoi që të marrë fjalën për shkak të mungesës në seancë të Edi Ramës. Kjo pasoi disa ndërprerje të seancës deri në orën 18:00 kur mori fjalën kreu i PD, pasi në Kuvend mbërriti Kryeministri.
Basha rrëzoi të gjithë programin e Ramës.
“…Vendi ndodhet në një udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. Për ne zgjedhja është e qartë, për ne zgjedhja është dhe do të jetë gjithmonë vetëm ajo që është e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët..”, tha ai.
Rama iu përgjigj duke e cilësuar fjalimin e Bashës si fjalim fushate.
“Prisja më shumë po sinqerisht si mund të vihet të flitet në emër të opozitës me një fjalim që është copy paste nga fjalimet e fushatës, përsëritje që mund të jetë dhe shkak i stresit, por nuk është kjo koha që unë të përgjigjem deri në fund. Ke boll kumrie kështu që këtu unë ndalem”, tha ai, duke lënë më pas sallën
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje