Bota

‘Zbutet’ Erdogan, tërhiqet nga vendimi për dëbimin e 10 ambasadorëve nga Turqia

Një hap prapa nga Rexhep Tajip Erdogan. Presidenti turk ka vendosur të tërhiqet kërcënimi për dëbimin e dhjetë ambasadorëve perëndimorë që kishin nënshkruar apelin për lirimin e disidentit turk, Osman Kavala.

“Ka pasur një deklaratë tjetër nga diplomatët që përmendin angazhimin e tyre ndaj nenit 41 të Konventës së Vjenës dhe mendoj se ata tani do të jenë më të kujdesshëm”, – tha Erdogan.

Diplomatët në shënjestër ishin nga Kanadaja, Franca, Finlanda, Danimarka, Gjermania, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Suedia dhe SHBA.

Agjencia turke e lajmeve “Anka”, ka bërë të ditur se prej ditësh zyrtarë të Ministrisë së Jashtme janë përpjekur të bindin presidentin që të mos urdhërojë dëbimin e tyre për të shmangur pasojat, përfshirë ato ekonomike.

Të hënën, lira turke shënoi një tjetër rekord negativ. Monedha kombëtare turke u zhvlerësua me më shumë se 2% brenda një dite, duke kapërcyer barrierën e 1 dollarit për 9,80 lirat turke dhe 1 euro për 11,40 lirat.

Në fundjavë, Erdogan shkaktoi një skandal kur deklaroi, se dhjetë ambasadorë perëndimorë do t’i shpallë persona të padëshiruar – nga protestat kundër deklaratës së tyre të solidaritetit me sipërmarrësin dhe mbështetësin e kulturës, Osman Kavala, që mbahet në burg.

Të prekur nga ky qëndrim ishin ndër të tjerë ambasadori gjerman, Jürgen Schulz dhe kolegët e tij nga Franca, SHBA-ja dhe shtatë vende të tjera.

64-vjeçari Kavala ndodhet në burg në Stamboll që nga viti 2017, ndonëse Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka udhëzuar në vitin 2019 lirimin  e tij.

Kavala është gjithashtu themeluesi i degës turke të fondacionit Shoqëria e Hapur të filantropit nga SHBA George Soros, i cili është në shënjestër prej shumë populistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë