Politike

Zgjedhja e kreut të SPAK, Kim: Të mos ndikohet nga ata që duan të manipulojnë hetimet. Takuam çdo anëtar të KLP, të votojnë pa frikë e pa favore

Gazeta Si – Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, ka përsëritur qëndrimin e SHBA-ve se procesi i zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, nuk duhet të ndikohet nga ata që synojnë të manipulojnë hetimet.

Kim thotë se javët e fundit është takuar me çdo anëtar të KLP-së, duke nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një kryetari të ri të SPAK që do të intensifikojë pa frikë dhe favore luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në një postim në rrjetet sociale, diplomatja amerikane shtoi se prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë të barabartë përpara ligjit.

Kim shprehet se Reforma në Drejtësi është kërkesë e drejtë e popullit shqiptar dhe SHBA do të vazhdojë ta mbështesë këtë.

“Javën e fundit jemi takuar me çdo anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të nënvizuar rëndësinë e zgjedhjes së një kryetari të ri të SPAK-ut, i cili, pa frikë e favore, do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Procesi i përzgjedhjes nuk duhet të ndikohet nga ata që kanë interes për të kufizuar apo manipuluar hetimet. Ky është i gjithë thelbi i reformës në drejtësi, drejtësia duhet të jetë e verbër përpara pushtetit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet t’i trajtojnë të gjithë të barabartë përpara ligjit, institucionet duhet të jenë të pavarura.

Reforma në Drejtësi nuk është vetëm një kërkesë për anëtarësimin në BE, është kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. SHBA do të qëndrojë gjithmonë me popullin e Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vendosmëri zbatimin e Reformës në Drejtësi. Kjo nuk do të ndryshojë.

Ne do të monitorojmë nga afër procesin e përzgjedhjes në SPAK për të siguruar që Reforma në Drejtësi të ecë përpara”, shkruan Kim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë