Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit “zyrtarizoi” akuzën e ngritur nga mazhoranca socialiste në Parlament se Presidenti shkeli Kushtetutën duke u bërë palë me opozitën në fushatë.
“Presidenti zhvilloi fushatë kundër partisë në pushtet me kapacitetin zyrtar”, thotë ODIHR.
Vëzhguesit e ndërkombëtarë thonë se Presidenti, ish-kryetar i LSI-së, pati një marrëdhënie të tensionuar me Kryeministrin Edi Rama dhe ndërmori nisma që lidheshin me zgjidhjet, përfshirë këtu edhe kritikat e forta ndaj Qeverisë.
“Më 9 qershor, Parlamenti votoi për shkarkimin e tij ku mes arsyeve të tjerqa u rendit edhe përfshirja si palë në zgjedhjet e 2021. Vendimi i shkarkimit duhet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese”, thotë ODIHR.
Raporti vëren se pavarësisht ndryshimeve të kuadrit ligjor dhe ashpërsimit të masave për të parandaluar përdorimin e burimeve njerëzore dhe financiare të administratës, partia në pushtet vazhdoi ta shfrytëzojë këtë avantazh me ministrat që bënë fushatë me kostumin e tyre zyrtar.
Në lidhje me fushatën, ODIHR vëren se debati u përqëndrua në zgjedhjen mes vazhdimësisë dhe ndryshimit, ndërsa thotë se fushatës i mungoi analiza e thelluar, sidomos në media.
“Fushatës elektorale dhe sidomos mbulimit të saj nga media i mungoi analiza e thelluar. Mesazhet publike shpesh përqëndroheshin te individi dhe udhëheqësit e partive se sa te programi i tyre”, vëren ODIHR.
Vëzhguesit thonë se edhe më 25 prill u vu re fenomeni i “fushatës negative”, ku palët nuk përqëndrohen te programi dhe oferta e tyre, por te anatemimi i kundërshtarit. Në këtë pjesë, raporti përmend posterat gjigante të vendosura në hapësirat publike në Fier, Gjirokastër, Kukës dhe Shkodër.
“Fushata negative përmes përdorimit të posterave u vu re. Gjuha e përdorur nga disa udhëheqës të partive dhe sidomos nga Presidenti ishte konfrontuese. Ndonjëherë, gjuha agresive u shpalos edhe përmes postimeve dhe komenteve në rrjetet sociale e deri te spotet elektorale në televizione”, thotë ODIHR.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje