Politike

Berisha mbyll aktin e fundit të lëvizjes brenda partisë

Numërimi në zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike, votime të thirrura nga komisioni i Rithemelimit përfundoi pa asnjë surprizë; Sali Berisha ka marrë mbi 95 për qind të votave.

Anëtarësia u thirr këtë të diel që të votojë për kryetarin e ri të partisë, në atë që konsiderohet si epilogu i lëvizjes së Sali Berishës për marrjen e kontrollit të opozitës.

Sipas shifrave të publikuara nga Komisioni i organizimit të zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte pak më shumë së 38 mijë, ose 6 mijë më pak se ajo në referendumin e 18 dhjetorit të vitit të kaluar.

Gara ishte formale. Sali Berisha kishte përballë Ibsen Elezin në këtë votim, ndërkohë që më parë të gjithë kandidatët e tjerë deklaruan se nuk do të merrnin pjesë pikërisht duke parë formalitetin e votimeve.

Numërimi është mbyllur në disa degë, ku Ibsen Elezi ka siguruar në secilën prej tyre 10 deri në 20 vota. Përjashtim bën Berati, ku Elezi ka siguruar 57 vota.

Dy kandidatët në garë, Berisha dhe Elezi votuan në qendrën e votimit të hapur në selinë e Partisë Demokratike. I pari votoi Berisha.

“Përshëndes demokratët dhe demokratet, komisionerët e 108 qendrave të votimit në mbarë Shqipërinë dhe i uroj të marrin pjesë të gjithë në këtë proces historik jo vetëm për PD, por edhe për Shqipërinë. Ky është një proces historik jo vetëm për PD-në, por për mbarë Shqipërinë, sepse është një proces që finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie, me votën e tyre,” tha Berisha.

Berisha u pyet se çfarë do të ndodhë nëse Gjykata e Apelit merr një vendim të kundërt nga ai që pritet.

“Nuk ka vendim që mund të ndalë këtë mision historik të demokratëve shqiptarë”, tha ai.

30 minuta pas Berishës, në të njëjtën qendër votimi votoi edhe Ibsen Elezi. Ai kërkoi nga anëtarësia që të votojnë për idetë, jo për individët.

“Individët nuk janë drita e diellit. Jemi në një sistem ku duhet të vendosim për ide, jo për individë”, tha Elezi.

“Jam fokusuar shumë te procesi dhe ndaj kam pranuar të jem në këtë garë. Kam luftuar shumë për proceset. Pas shpalljes së vendimit, do ta njoh rezultatin. Kam toleruar shkelje të vogla, por nëse verifikohet se komisionerët nuk do të jenë korrektë, nuk do ta toleroj”, vijoi Elezi.

Berisha synon që me këtë proces të sigurojë kontrollin e partisë edhe ‘de jure’, pasi ‘de fakto’ e ka kontrollin e saj që pas zgjedhjeve të 6 marsit.

Këto zgjedhje janë përmbyllja e lëvizjes së nisur në shtator, të kulmuar me Kuvendet e dhjetorit dhe të prillit, ndërsa paralelisht me këtë në gjykatën e Tiranës vijon beteja ligjore, ku është një ankimim i Enkelejd Alibeajt që kundërshton regjistrimin e statutit të 11 dhjetorit.

Rithemelimi ka akuzuar gjykatësen Blerina Muçaj se nuk u ka vënë në dispozicion vendimin e regjistrimit të ankimimit të Alibeajt, duke i penguar të drejtën për kundërshtim të këtij vendimi në apel.

Në konferencat për shtyp, Sali Berisha ka akuzuar se ky vendim i gjykatës është marrë me ndërhyrjen e drejtpërdrejt të Kryeministrit Edi Rama dhe të Ambasadores së SHBA, Yuri Kim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë