Politike

Akuzat për bashkëpunëtor, Meta padit anëtarët e Autoritetit të Dosjeve. Balla: Shantazh absurd

Gazeta Si – Ashtu siç kishte paralajmëruar, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve.

Padia e tij vjen pas akuzave se një politikan i lartë me iniciale I.M. ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, për të cilin mazhoranca thotë se është Ilir Meta. Ish-presidenti i Shqipërisë lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook.

LEXO EDHE:
– Autoriteti i Dosjeve: Nuk po verifikojmë Metën! Akuzat për manipulim, të pabazuara
– Ilir Meta t’i sfidojë të gjithë me të vërtetën dhe ta publikojë vetë dosjen personale

Meta ka bërë kallëzim për Gentiana Sulën, Albert Nikollën, Altin Hoxhën, Gjergj Markun dhe Skënder Vrionin me pretendimin se kanë falsifikuar dokumentet shtetërore, kanë bërë falsifikim kompjuterik.

Sipas tij ata kanë falsifikuar vulat, stampat apo formularët, kanë shpërdoruar detyrën, kanë përhapur informata të rreme që ngjallin panik si dhe kanë zbuluar akte ose të dhëna sekrete.

“Të dashur qytetare dhe qytetarë, sot kam kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për shkeljet e rënda dhe të qëllimshme që i kanë bërë ligjit organik për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, për manipulimet dhe falsifikimet flagrante në shërbim të shantazhit politik, për llogari të Edi Ramës”, thotë Ilir Meta në një postim në Facebook.

Kryetari i PL akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe anëtarët e Autoritetit të Dosjeve se kanë falsifikuar dosjen në fjalë, teksa mohon që të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Një muaj më parë, politikani sfidoi Autoritetin e Dosjeve të bëjë publike dokumentet ndërsa duke u kthyer pas në të shkuarën e tij, kujtoi se në Fakultetin Ekonomik ku ai ka kryer studimet ishin me dhjetëra studentë me të njëjtat iniciale, madje edhe një shoku tij i klasës kishte të njëjtin emër dhe mbiemër.

Ilir Meta e cilësoi lojë politike, ndërsa sulmoi ashpër autoritetin e dosjeve duke e akuzuar për falsifikim të dokumenteve, pasi sipas tij prej vitit 92 ai është nënshtruar të gjitha verifikimeve dhe e shkuara e tij ka dal e pastër.

Gjatë një deklarate për mediat, ai tha se e kaluara e tij është dëborë e bardhë dhe se Autoriteti i Dosjeve është një aneks i bashkisë dhe e qeverisë.

Meta nuk la pa përmendur as Lindita Nikollën, duke thënë se Autoriteti i Dosjeve me informacionet që nxorën, kanë tromaksur kryetaren e Kuvendit.

“Autoriteti i Dosjeve po të kishte shqetësim, kush e pengoi të më merrte mua e të merrte sqarime. Jam hetuar 2 herë më parë, por unë kam bërë një deklaratë se në rast se nuk kam qenë marr përsipër përgjegjësi penale. Aty ka pasur siguri të plotë për montazhet e bëra. Autoriteti ka qenë shumë i ndërgjegjshëm. Kush ia kërkoi Autoritetit gjeneralitetet e Ilir Metës? Dhe si këta kishin bërë gati një projektligj. Është një aneks i bashkisë dhe i qeverisë. Janë bërë pjesë e një manipulimi. Kanë tromaksur kryetaren e Kuvendit, kur nuk u tromaks kur falsifikuan firmën e Gramoz Ruçit… Gjithçka ka qenë e programuar. Është një sulm i hapur kundër pluralizmit politik. Mua më bëjnë nder, se e kaluara ime është dëborë e bardhë. Kur këta falsifikojnë dokumentet e atyre viteve, mendoni ç’bëjnë me firmën e tyre”, – shtoi ai.

Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas kallëzimit të Metës.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Balla i sugjeron Anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve që vijnë nga familje të persekutuara prej regjimit komunist dhe që sot janë kallëzuar nga Meta si falsifikatorë dhe vegla të pushtetit, ta marrin këtë zhvillim si ilustrimin e asaj shprehjes: “Historia ndodh si tragjedi dhe përsëritet si komedi!”.

Sipas Ballës të gjithë anëtarët e Autoritetit dhe kryetarja Genta Sula, “kanë të gjithë respektin e mbështetjen tonë në punën e tyre”.

“Shantazhi absurd i Ilir Metës ndaj tyre është një tjetër arsye për të dyshuar fort se spiuni I.M. nuk është askush tjetër, po pikërisht ai që tanimë mendon gjithë Shqipëria”, shkruan Balla.

Në fund të postimit, Balla komenton: “Uroj që prokuroria të mos bëhet rëra ku Ilir Meta të fshehë kokën si struci në pafundësi, po të respektojë ligjin, institucionet dhe të drejtat e detyrat e drejtuesve të tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë