Politike

Avokati i Popullit si ‘kalë Troje’ i përçarjes së opozitës

Sali Berisha e ka paraqitur Partinë Demokratike të unifikuar në bazë dhe seli, por në Kuvend përçarja e saj është ende e thellë dhe efekti i parë i kësaj përçarje është shtyrja për në vjeshtë e zgjedhjes së Avokatit të ri të Popullit.

Emri i ri duhet të votohet në Parlament me 84 vota dhe kjo është arsyeja se përse mazhorancës i duhet bashkëpunimi i opozitës, ose të paktën i një pjese të saj. Shtyrja nuk u bë për mungesë kandidaturash, pasi në Komisionin e Ligjeve janë depozituar dhe dëgjuar platformat të 19 emrave.

LEXO EDHE:
– 23 deputetë të PD-së që janë në “ajër”, takim në një nga lokalet e Tiranës (Vendim edhe për Avokatin e Popullit)
– Beteja brenda PD për Avokatin e Popullit, Gjekmarkaj: Basha nuk ka tagër për të caktuar pasardhësin (kush po favorizon kë)
– Nga Ilir Rusmali, tek Ahmet Prençi dhe Sali Shehu kandidatët për Avokatin e Popullit

Për emrin që do të pasojë Erinda Ballancën (e cila rikandidon për këtë post) Enkelejd Alibeaj mblodhi në një nga lokalet e Tiranës 23 deputetë të Partisë Demokratike. Është e paqartë se cilët emra janë hedhur për diskutime, por mbledhja ka përçarë edhe më tej PD-në.

Agron Gjekmarkaj akuzoi se mbledhja ishte thirrur nga Lulzim Basha për të përcaktuar Avokatin e ri të Popullit. Ai tha se ish-kreu i PD-së nuk ka më asnjë tagër që të vendosë për këtë emër.

Nga ana tjetër, socialistët kanë heshtur kur vjen puna te emrat dhe në vend të kësaj e kanë shtyrë procesin për në vjeshtë, atëherë kur nis sesioni i ri parlamentar dhe kur do të dorëzohen edhe emrat e drejtuesve të grupeve parlamentare.

Kjo do të thotë se vjeshta mund të mos e gjejë më kryetar grupi parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeajn, që me shumë gjasë mund të çonte në një ndarje përfundimtare të vetë grupit demokrat edhe institucionalisht në Kuvend.

Për këtë arsye, shtyrja e zgjedhjes së Avokatit të Popullit për në shtator mund të jetë një lëvizje politike e socialistëve, që do të përçanin edhe më tej opozitën e ndoshta në vjeshtë, tre grupeve aktuale parlamentare opozitare, t’u shtohet një i katërt me drejtues Alibeajn.

Ky i fundit ndoshta s’do t’i ketë me vetë të 23 deputetët që i shkuan në lokal ditën e martë, por 7 prej tyre sa për të ngritur një grup parlamentar mund t’i sigurojë.

Shtatori nuk është larg, por të gjitha lëvizjet politike në mbyllje të këtij sesioni parlamentar sugjerojnë se opozita (të paktën në parlament) në vjeshtë mund të jetë edhe më e përçarë se opozita e 2019-2021, që u mbush me emra e personazhe që morën mandatet pas vendimit të PD e LSi për djegien e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë