Partia Demokratike përcolli takimin e Lulzim Bashës të martën me degën numër 7 të Tiranës ku sërish u shoqërua me protestë nga disa përkrahës të Berishës para së të futej në takim. Këtë situatë, që nuk është e para për të, Basha e ka komentuar edhe brenda në takim. Kryetari i demokratëve tha se kjo jave duhet të shërbeje për t’i shtrirë dorën çdo demokrati kundër qeverisë
“…Mendim ndryshe po, kritika po, kundërshti po, të gjitha! Dhe me zë të lartë, garë po, por jo dhunë, jo mashtrime dhe gënjeshtra, jo vese me të cilat kemi 8 vite që përballemi në emër të demokratëve dhe në emër të të gjithë shqiptarëve me qeverinë më të korruptuar të Europës. Nuk mund t’i lejojmë tani këto vese të bëhen pjesë e sjelljes në Partinë Demokratike. Ndaj, nga njëra anë me të vërtetë janë një pjesë njerëzish, janë më pak se ç’kanë qenë para një muaji apo para dy muajsh, shumë më pak se ç’kanë qenë në 8 janar, një datë që duam ta harrojmë, por në fakt nuk mund ta harrojmë pa nxjerr konkluzionet brenda familjes tonë dhe do jenë edhe më pak kur ta kuptojnë që dora e shtrirë nuk është vetëm e imja, por është e çdo demokrati, se na bashkojnë qëllimet. Sepse mund të vëmë në pikëpyetje gjithçka, përveç motiveve dhe qëllimeve tona. Motivi është ky vend. Për këtë vend dhe për këta njerëz është themeluar kjo familje politike…”, tha Basha.
Kryetari i demokratëve tha se është koha për qarkullim elitash
“Qëllimi është i qartë, atë që nuk u arrit më 25 prill, jo për shkakun e sakrificës tuaj, po për shkak të masakrës zgjedhore, ndryshimin ta sjellim një orë e më parë. Dhe ndryshimi do të vij, na ra ne barra e peshës të kalojmë përmes një sprove shume të madhe, pas asaj të masakrës zgjedhore. Por e sigurt është që vullneti i shumicës dërrmuese të shqiptarëve, për t’i dhënë fund tranzicionit, për të pasur qarkullimin e elitave, për të pasur një klasë politike e cila hynë në politikë për të shërbyer, vlerësohet me votë dhe ata që janë pjesë e klasës politike, që e abuzojnë pushtetin, ballafaqohen me pasojat e abuzimit me drejtësinë, kjo është aspiratë e shqiptarëve do të bëhet realitet, nuk e ndal dot askush, nuk e ndal dot Edi Rama. Dhe për fat të keq, do të na duhet tani, të paktën deri në shërimin e një plage që padrejtësisht i është mbivendosur Partisë Demokratike, që një pjesë të energjisë ta shpenzojmë edhe brenda familjes”, tha Basha duke iu referuar më pas situatës që ndodhte jashtë teksa ai brenda po mbante një takim.
“Ata demokratë që janë jashtë aty, ata ndër demokratët që janë jashtë, duhet ditë për ditë e javë për javë t’i kemi kështu, bashkë me ne përpara të keqes. Aty ku ndodh e keqja, nga kryeministria tek ministritë, tek institucionet e tjera të zaptuara që po ua bëjnë jetën ferr shqiptarëve. Sepse sonte që flasim, edhe sonte që flasim, nuk duhet të harrojmë që gjysma e familjeve shqiptare, arrijnë të paguajnë vetëm një vakt në ditë… Nuk ka palë brenda familjes tonë. Ka një qëndrim të qartë kundër korrupsionit dhe ka një qëllim të qartë për të larguar rrëgjimin e korruptuar të Edi Ramës.
Nuk ka asnjë familje tjetër politike, asnjë fuqi tjetër politike në këtë vend që mund ta nxjerrë vendin nga kjo greminë, përveç Partisë Demokratike.
Detyra jonë e parë, këtë javë, është që ti marrim me vete, t’iu shtrijmë dorën, t’iu themi nuk ka të tepër, nuk ka demokratë të tepër në familjen tonë. Shqipëria nuk mund të mbetet peng, Partia Demokratike nuk mund të mbetet peng, prandaj këtu jam dhe do të jem si pengu i demokratëve dhe si pengu i shqiptarëve, por si njeri i lirë përballë rrëgjimit dhe përballë atyre që janë bërë njësh me rrëgjimin duke denigruar, përçarë dhe fryrë frymës së përçarjes. Ata do të dështojnë. Ne do të fitojmë, Shqipëria do të fitojë!”, tha ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje