Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar në takimin me kryetarët e degëve përjashtimin e Sali Berishës nga partia. Por jo vetëm. Edhe ata që kanë firmosur për Kuvendin e 11 dhjetorit.
Basha u tha demokratëve se ka vetëm një Kuvend ai i thirrur nga kryesia e partisë më 18 dhjetor.
“Do të bëjë Sali Berisha miting me 11 dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD. Por veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtim i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjen në Statut. Dhe do të zbatoj Statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë e partisë, fatin e ka të caktuar nga Statuti i partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi Statutin dhe nuk është mbi të tjerët”, u shpreh Basha në mbledhje.
Kryetari i i demokratëve u tha drejtuesve ne dege se gjithçka nga pala tjetër po bëhet për interesa personale.
“Kjo histori e përdorimit të demokratëve si mburojë e interesave personale të kujtdo merr fund njëherë e përgjithmonë. Kryesia e Partisë Demokratike votoi për mbledhjen e Kuvendit legjitim. Sali Berisha thotë se prapë nuk e njeh. Ku qëndron morali i statutit që me forcë ngre Sali Berisha? Çfarë po kërkon ai? Sali Berisha nuk e ka hallin te statuti. Ai nuk njeh asnjë strukturë të Partisë, sepse qëllimi i tij është që partia të shndërrohet në një mburojë të tij përballë Shteteve të Bashkuara”, tha Basha.
Ai përforcoi argumentin se Sali Berisha e kishte justifikim nisjen e foltores.
“Pse nuk e përmend më Sali Berisha faktin me të cilin nisi foltoren, sepse nuk u votua në Kryesi? Sepse ky ishte një justifikim. Ja ku është vendimi i Kryesisë me 28 vota pro për mbledhjen e Kuvendit, dhe ai përsëri thotë s’e njoh. Është e qartë se sido që të merrej ai vendim, me çfarëdo votimi, Sali Berisha dëshmon se nuk do ta njihte. Sepse sot ai nuk njeh asnjë organ zyrtar te PD”, tha kreu i PD.
Më tej, ai nënvizoi: “Beteja me njëri-tjetrin nuk na çon askund. I shërben vetëm Ramës dhe patericave të tij, që i po i bëjnë gjithçka që beteja mes nesh të çojë në një ndarje të partisë. Ju jeni dëshmitarë të kësaj”.
“Kemi përgjegjësinë historike, përpara demokratëve dhe shqiptarëve, që të mos lejojmë që partia që në 1992 erdhi në pushtet në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, që ndërtoi lidhjet më të forta me partnerët perëndimorë, të mos përfundojë non grata.
Ky është thelbi që disa përpiqen të fshehin nga gjithë kjo histori, si nga ata që e shfrytëzojnë këtë moment për interesa personale, por edhe nga ata që duan të dëmtojnë Partinë Demokratike.
Prandaj të jetë e qartë për të gjithë, ose ne do të jemi një parti e pranueshme për Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara, mikun tonë të madh, ose do të jemi një parti non-grata. Nuk ka zgjidhje tjetër dhe kushdo me mend në kokë e kupton që është ekzaktësisht kështu”, tha Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje