Politike

Basha: Pavarësisht situatës në PD, do kërkoj mocion me debat në Kuvend për rritjen e çmimeve 

Pak para mbledhjes së grupit parlamentar ku objekt i mbledhjes ishte pikërisht ai, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha për mediat se do të kërkojë në Kuvend mocion me debat për kryeministrin pas rritjes së çmimeve ne vend.

Basha tha se e kishte paralajmëruar situatën e çmimeve që para dy javësh, ndërsa nënvizoi se PD-ja është në krye të betejës se protestave që po mbahen në vend.

 “Dy javë përpara i kërkova qeverisë shqiptare t’i dalë përpara pasojave të paevitueshme të rritjes së çmimeve, duke filluar me rritjen e çmimeve përdorur ato mekanizma të cilat në fakt jo vetëm lehtësojnë qytetarët, por zhbëjnë edhe padrejtësie e kësaj qeverie të këtyre 8 viteve.

Kërkova eliminimin e menjëhershëm të taksës së qarkullimit me vlerë 240 lekë që njihet nga populli si taksa “Rama”; si fillim dhe konsiderimin e lehtësimit të përkohshëm të disa prej taksave të tjera si akcizës së karburantit apo taksave të tjera mbi naftën. Kërkova po kështu rikonsiderimin e paketës tonë për TVSH 6% për ushqimet duke qenë se çmimi i naftës nuk ka të bëjë vetëm me ata që kanë automjete apo varen nga automjetet, por ka të bëjë me gjithçka që varet nga transporti, pra gjithçka që ka të bëjë me bukën e përditshme dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

E kam përsëritur si sot një javë si kërkesë kur karburantet shkuan 2300 lekë. Ndërkohë që ka nisur reagimi qytetar që ka mbështetjen tonë të plotë…”, tha Basha.

Pavarësisht debatit të brendshëm, Basha tha se detyrat e PD-së para qytetarëve janë të qarta.

“Po ua them paraprakisht, që pavarësisht situatës së brendshëm që po kalon PD, subjekt i cili është mbledhja e sotme dhe procesi i reflektimit që ne kemi nisur, ne në asnjë moment nuk harrojmë detyrën tonë para njerëzve. Dhe demokratët janë dhe do të jenë në krye të kësaj beteje për jetën e përditshme të qytetarëve, për krizën e tmerrshme që po kalojmë, aq më shumë ku ndërkohë që çmimet rriten për shkak të sistemit të taksave, qeveria shton të ardhurat dhe në vend që të shtojë ndihmën ndaj qytetarëve, shton retorikën dhe shton dhunën ndaj qytetarëve. Kjo është e papranueshme”, tha ai.

“…Qeveria e Shqipërisë, kryeministri shqiptar të kapur ne flagrancën e 430 mln eurove nuk mund ta kalojë lumin me dhunë policore, me censure apo me premtime boshe.

Dy javë më parë i kam bërë thirrje. Tani jem në mes të kësaj krize e  cila nuk dihet se çfarë pasojash të tjera mund të ketë.

Ndaj një nga propozimet që do t’i parashtroj grupit parlamentar është që të kërkoj mocion me debat, në momentin më të parë të mundshëm në Parlament, për të vënë para presionit maksimal qeverinë që të lërë llafet, të lërë fjalët dhe të fillojë me veprat”, vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë