Dy janë mesazhet që Sali Berisha përcolli në mbledhjen e pare të kryesisë pas zgjedhjeve të 14 majit.
E para se, opozita nuk do të njohë zgjedhjet në ato zona ku kanë evidentuar shkelje dhe se dyta se analiza brenda partisë do të ndodhë pas përgatitjes së dosjes denoncuese për zgjedhjet.
“Në krye të radhës, unë kam qenë i bindur se detyra më parësore, më kryesore e PD-së është mbrojtja e votës së shqiptarëve dhe misioni i saj themelor. Dhe zotimi solemn dhe i përsëritur i yni, në mënyrë konstante.
Duke qartësuar se mbrojtjen e votës, PD nuk e nënkupton një mbrojtje me armë, nuk e nënkupton një mbrojtje me dhunë.
PD me mbrojtjen e votës nënkupton, sot dhe përsa kohë të jetë forcë demokratike, përdorimin e të gjitha mjeteve të ligjshme për të nxitur votimin, për të inkurajuar votimin, për të mbikëqyrur çdo lloj dhunimi, cenimi në procesin e votimit dhe për të mbajtur qëndrimet përkatëse në vartësi të tyre.
Bazuar në këtë koncept, pas rezultatit tashmë të njohur, kandidatët, kryetarët e degëve, ju që jeni këtu, jeni angazhuar pikërisht në këtë proces. Jeni angazhuar në këtë proces dhe unë e konsideroj themelor sepse ky proces solli më shumë se kurrë ndonjëherë në historinë e këtij vendi, krim në pushtet.

Ky proces u karakterizua nga konsolidimi i një makinerie gjigante të blerjes së votës nga qeveria dhe mafia e saj.
Ky është procesi i parë në 32 vite, që nisi me deklaratën e kryeministrit se Kodi Elektoral është një kinezëri për të. Nisur nga ky koncept, të cilin ai e shpalli nga zyra e tij në kryeministri, vetëkuptohet që zgjedhjet do ishin një proces pa asnjë garanci ligjore, zgjedhjet do ishin një proces vullneti i një njeriu, që ligjin, Kushtetutën e zgjedhjeve, e quan një kinezëri”, tha ai.
Më tej ai nënvizoi: “Në të gjitha qytetet e mëdha, në Shkodër, Lezhë, Peshkopi, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier e me radhë, bandat dolën nga strofullat e tyre.
Në Shkodër, Rama vendosi paqe mes 5 bandave kryesore të zonës dhe të gjitha me në krye Bajrët, të cilët u liruan nga burgu, u vërsulën dhe me makina të blinduara i binin Shkodrës kryq e tërthor duke ushtruar terror pranë qendrave të votimit.
Bandat darkonin me qeveritarët dhe merrnin misionet. Sigurisht misione për kontrollin e votës, për grabitjen e votës.
A ishte kjo situatë në të gjithë Shqipërinë? Jo, nuk ishte në të gjithë Shqipërinë, duhet të jemi realistë. Kjo ishte në të gjitha zonat ku ai me çdo kusht donte të merrte mandatin.

Këto zgjedhje treguan se kjo makineri megakriminale e blerjes së votave dhe terrorizimit të zgjedhësve u përdor pa mëshirë, siç u përdorën zarfat për pensionistët”
Berisha ishte i pakënaqur edhe për votimin elektronik.
“Është opozita ajo që duhet të jetë e interesuar për votimin elektronik. Por fakte të shumta janë mbledhur dhe po mblidhen për manipulimet e kryera me votimin dixhital. Ne po ndjekim dhe do ndjekim gjer në fund, për të vërtetuar çdo shkelje ligji, dhunim vote në këtë proces zgjedhor. Nuk mund të njohim ne kurrë rezultatin e zgjedhjeve të dominuar nga komisionerë të paligjshëm në qendrat e votimit. Aty ky Edi Rama ka vendosur komisionerë në kundërshtim me ligjin, që të gjitha, sado të jenë ato, 1000 apo 2000, do kundërshtohen dhe nuk do njihet rezultati i tyre. Kjo përbën shkeljen më masive, më flagrante të rezultatit. Nuk mund të pranohet asnjë rezultat nën terror.
Nuk do mund të pranojmë një proces në të cilin 870 mijë votues morën direkt apo në potencial, bonus me para. Që këtu kjo është një piramidë mashtrimi, një piramidë blerje vote.
Degët, kandidatët dhe kryetarët kanë dorëzuar këto ditë me qindra e qindra dokumente, filmime, deklarata, fotografi dhe të tjera.
Një raport serioz do hartohet pas analizës teknike të gjithanshme të procesit zgjedhor”, tha ai.
Me përfundimin e kësaj faze, sipas tij, do nisë faza e dytë
“Faza e dytë do jetë analiza e të gjithë veprimtarisë sonë. Një analizë me përgjegjësinë më të madhe, transparencën më të madhe.
Një analizë siç u takon ta bëjnë atyre që janë në një mision shumë të vështirë, por pa këtë analizë ata hapa të sigurt në misionin e tyre nuk bëjnë dot.
Kjo analizë do përfshijë PD-në në të gjitha nivelet dhe do zbatohet në statutin e partisë që do zbatohet pikë për pikë, siç e keni votuar.
Këtu nuk mund të kemi ekuivoke”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje