Ai që e ka mbështetur në çdo moment në rrugëtimin e tij politik, Dashnor Sula, ka mbajtur një fjalim të përgatitur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat me fokus kryesor dorëheqjen e Lulzim Bashës.
“…Kryetar ndryshe nga mbledhja e parë kur ne folëm dhe ju na dëgjuat, madje mbajtët edhe shënime për ato që ne thamë sot unë shpresoj dhe besoj se ju keni ardhur me një formulë zgjidhjeje për këtë situatë. Gjatë këtyre ditëve, ju keni marrë kohën që ju është dashur por edhe unë dhe kolegët e mi kemi menduar dhe ideuar forma dhe mënyra të ndryshme reagimi përballë gjendjes në të cilën ndodhen demokratët sot. Dua të kërkoj vëmendjen e kolegëve dhe sidomos tuajën z. Basha, pasi dua të bëj një sqarim për rrugëtimin tim në PD që nga koha kur ju nuk ishit jo vetëm drejtues por as deputet i kësaj partie. E them që dua vëmendjen tuaj sepse në varësi të zgjidhjes dhe vendimeve që t’i do të marrësh në fund të kësaj mbledhjeje, mbase kjo mund të jetë edhe fjala ime e fundit në këtë grup. Ndonëse do të ishte gjëja e fundit që do të doja!”, e filloi fjalën deputeti i Elbasanit, Dashnor Sula.
“Ju kryetar por edhe Sekretari i Përgjithshëm, të cilin në këto zgjedhje e delegove si drejtues politik në Elbasan, e dini fare mirë angazhimin dhe kontributin që kam dhënë. Fol Gazi, më thuaj nëse e kam gabim? A jam unë ai që e kam mbuluar 50% të fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit ne Elbasan me çdo shpenzim që kam pasur? E kam bërë me zemër dhe ndërgjegje të pastër që nuk po e bëj as për Lul Bashën dhe as për Gaz Bardhin, por për një parti dhe njerëz që i dua me shpirt. Çfarë kam kërkuar unë për gjithçka që kam dhënë? Asgjë! Absolutisht asgjë! Ja ku e ke z. Basha gjithë grupin parlamentar që të mbështeti në vendimin që more për Sali Berishën. Pavarësisht se ti personalisht pavarësisht insistimit të gjithë kolegëve nuk dole asnjë ditë në bazë për ta sqaruar atë vendim. Unë nuk jam bërë pishman sepse nisemi nga parimet e kushtetutës tonë, statutit që flet për marrëdhënien me SHBA”, tha Sula.
“Por nëse thua, vijoi ai, se kam partneritet me SHBA, sillu si politikan perëndimor! Mos ngel rob i egos për të qenë domosdoshmërisht në krye të kësaj partie, pavarësisht çdo rezultati. Ka ardhur koha që të gjithë të marrin frymë lirisht. Ti vetëm i pari ke nevojë!”
Edhe deputeti i Shkodrës, Helidon Bushati ka kërkuar dorëheqjen e tij.
“Kryetar është fatkeqësi që sot nuk jemi në shesh së bashku me protestuesit por këtu duke u marrë me procedura partie. Në vend që të jemi atje për të qarë hallet e popullit jemi këtu duke qarë hallin e karrigeve tona. Eshte rasti i parë në historinë tonë që një kryetari partie i kërkohet dorëheqja nga grupi i i vet parlamentar.
Me qëndrimin tuaj po ndihmoni në agonizmin e partisë dhe po e bën Partinë Demokratike të kthehet në objekt memesh për lidhjen e pakuptueshme tuajën me karrigen.
Një drejtues që ka humbur beteja dhe gara mund të fitojë betejën kryesore që është beteja për dinjitetin e emrit të tij nëpërmjet dorëheqjes…”, është shprehur Bushati gjatë mbledhjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje