Politike

Financimet e fshehta ruse, Ambasadorja Kim: Kërcënim serioz, kanos demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion

Ambasada e SHBA në Tiranë ka përcjellë zyrtarisht një qëndrim lidhur me takimin e zhvilluar nga Ambasadorja e SHBA Yuri Kim në ambientet e KQZ-së me kreun e këtij institucioni, Ilirjan Celibashi dhe perfaqësues të partive politike, Damian Gjiknuri, Monika Kryemadhi dhe Jorida Tabaku.

“Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane. Më tej ambasada nënvizon:  “Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve”

Takimi i Ambasadorës amerikane Yuri Kim me përfaqësues të partive politike dhe kreun e KQZ-së vjen në një kohë kur palët politike po punojnë për reformën zgjedhore dhe një ditë pas publikimit të një lajmi nga VOA që i referohej raportit amerikan të kundërzbulimit mbi financimet e fshehta ruse për partitë politikë në botë, ndër to edhe ajo për PD-në në vitin 2017, kohë kur kjo forcë politike drejtohej nga Lulzim Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë