Ne rrjet

Ikën nga Kabuli edhe gazetarja e CNN, kush është ‘luftëtarja’ që u përball me talebanët

Korrespondentja e televizionit amerikan CNN, Clarissa Ward, një nga përfaqësueset e fundit të mediave ndërkombëtare që mbeti në kryeqytetin e pushtuar nga talebanët, u largua nga Kabuli brenda natës.

Ward kishte qenë protagoniste në ditët e fundit të raporteve të guximshme që dokumentonin kaosin në zonën e aeroportit dhe dhunën e kryer nga talebanët.

Ajo gjithashtu kishte marrë kërcënime të qarta nga forcat talebane për t’u larguar. Vetë gazetarja postoi në Twitter një fotografi të realizuar brenda aeroplanit ushtarak që e çoi në Doha.

Kush është Clarisa Ward

Ajo është një nga gazetaret më të famshme në botë dhe gjithashtu një nga më të guximshmet. Britanikja Clarissa Ward, korrespondente e CNN nga Kabuli, ka tërhequr vëmendjen e publikut botëror për gjakftohtësinë e saj.

Në një video të publikuar të premten, ajo shihet duke u marrë me luftëtarët talebanë jashtë aeroportit.

Synimet e burrave janë luftarake: ata vrapojnë për ta kapur, i kërkojnë asaj të fikë kamerën, njëri fillon të rrahë operatorin me bishtin e pushkës së tij dhe një tjetër e urdhëron gazetaren të mbulojë fytyrën pavarësisht se kokën e saj e ka mbuluar me një vello të zezë të rëndë.

Por ajo nuk e humb durimin. “Është shumë e rrezikshme, është shumë e rrezikshme”, – komenton Ward në shërbim, situata “është krejtësisht e paparashikueshme. Për mua është një mrekulli që shumë njerëz nuk u plagosën rëndë”.

E lindur në Londër në vitin 1980 nga një baba amerikan dhe nënë angleze, Ward ka bashkëpunuar me stacionet kryesore televizive amerikane.

Para CNN, ajo kishte qenë në CBS, kishte punuar si korrespondente nga Moska për ABC News dhe më parë për Fox News.

Konfliktet dhe postimi

Gjatë gjithë karrierës së saj, ajo ka mbuluar konfliktin izraelito-palestinez, luftën civile siriane, revolucionin ukrainas. Por tani, edhe asaj i është dashur t’i nënshtrohet ngjarjeve, duke u larguar nga Afganistani.

Me një fotografi të postuar në Twwitter, 41-vjeçarja shpjegoi se po kthehet në shtëpi përmes urave ajrore të organizuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat foli edhe Biden.

“Sapo zbritëm në Doha me ekipin dhe afro 300 afganë të evakuuar. Faleminderit shumë për të gjithë ju për mbështetjen dhe shqetësimin tuaj dhe për Forcat Ajrore të SHBA-ve që na dërguan në Katar. Ne jemi me fat”, – shkruan ajo në një postim.

Megjithatë, para se të largohej, asaj iu desh të përballej me kritika për veshjen e saj të imponuara ndaj grave.

Por ajo përgjigjet: “Puna ime është të dal në rrugë për të dëgjuar atë që njerëzit mendojnë dhe për të parë se çfarë po ndodh. Kështu që unë duhet të jem e gatshme të vesh gjithçka që më nevojitet, sinqerisht, që të jem në gjendje të dal dhe të bëj punën time dhe të respektoj traditën e çfarëdo kulture nga e cila po shkruaj”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë