Nuk ishte Sali Berisha, por Belind Këlliçi në ambientet e PD-së, që kësaj here, në zyrën ngjitur të Lulzim Bashës ku mban takimet, i lexoi këtij të fundit rezultatin e referendumit të 18 dhjetorit.
Përmes një letre të lexuar në këmbë, në zyrën bosh me vetëm një tavolinë (por me derën e hapur), Këlliçi i dha afat Bashës deri më 5 janar që të lirojë zyrën “si kryetar i shkarkuar”.
Në të kundërt, sipas tij, fatin e zyrave dhe selisë do ta marrë vetë anëtarësia.
“Kuvendi i partisë ka vendosur shkarkimin tuaj nga detyra. Pavarësisht se sipas nenit 43 kjo vendimmarrje mund të ishte vetëm e Kuvendit, ky i fundit në respekt të mijëra demokratëve vendosi ta ratifikonte vendimmarrjen përmes referendumit të mbajtur sipas parimit; “një anëtar një votë”.
Rezultati i tij përfundimtar sanksionon që 43 mijë demokratë kanë vendosur në favor të vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe shkarkimin tuaj.
Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD me anë të këtij komunikimi zyrtar ju fton të njiheni me vullnetin e PD dhe organeve më të larta. Kërkohet nga ana juaj që të merren të gjitha masat për ta jetësuar vullnetin e demokratëve duke liruar ambientet e punës së kryetarit të partisë deri më 5 janar 2022.
Refuzimi i vendimit të Kuvendit Kombëtar dhe vullnetit të 43 mijë anëtarëve që ratifikuan vendimin e shkarkimit, do detyrojë anëtarësinë e PD të shndërrohet në përmbaruesin politik të vendimit dhe vullnetit të saj”, tha Këlliçi. Një kopje e letrës së lexuar (ku nuk duket firma e Sali Berishës) i është dorëzuar edhe Lulzim Bashës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)












Lini një Përgjigje