Politike

KQZ padit numëruesit që shtuan votat për kandidatët në zgjedhjet e 25 prillit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paditur penalisht 72 numërues të votave në zgjedhjet e 25 prillit për shkelje që dyshohen të rënda të Kodit Zgjedhor. KQZ thotë se në total ka identifikuar 1006 raste të dyshimta në sistemin e identifikimit elektronik, nga 1.6 milionë votues, që pati në zgjedhje.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se shkeljet më të rënda janë gjetur kryesisht në procesin e numërimit të votave për kandidatët. KQZ ka referuar për hetime të mëtjeshme nga ana e prokurorisë të gjitha rastet kur diferencat mes votës reale që kanë marrë dhe asaj që kanë shënuar grupet e numërimit për kandidatët janë më të larta se 20 vota.

Celibashi u shpreh se janë identifikuar 20 raste të tilla dhe është vendosur ngritja e padive për të gjithë grupet e numërimit që kanë kaluar nëpër duar fletët e votimit në këto raste. Prokuroria më pas do të duhet të zbardhë në hetim nëse bëhet fjalë për një shkelje kolektive të ligjit, apo brenda grupit të numërimit përgjegjësia ndahet në mënyrë të pabarabartë.

“Ne nuk jemi në kushtet as për të hetuar dhe verifikuar se kush prej anëtarëve të grupeve të numërimit është përgjegjës për këtë parregullsi. I takon prokurorisë që përmes hetimit të zbulojë se kush janë përgjegjësit konkretë. Megjithatë, grupet e numërimit kanë përgjegjësi për zbatimin e ligjit”, tha Celibashi.

Celibashi u shpreh se padi është ngritur edhe ndaj operatorëve dhe punonjësve të tjerë të administratës zgjedhorë, gjurmët e gishtërinjve të të cilëve janë gjetur në më shumë se një qendër votimi.

“Kur shenjat e gishtave janë vënë më shumë se një herë në të njëjtën qendër votimi këto nuk i kemi karakterizuar si shkelje penale, sepse jemi në dijeni të faktit se operatorët për të përshpetuar procesin e votimit kanë vendosur më shumë se një herë shenjat e gishtit. Por, në rastin kur shenja e gishti është gjendur në dy qendra votimi do të thotë se kjo është e qëllimshme”, tha Celibashi.

Raste të tilla të identifikuara nga KQZ janë 20, që Celibashi i vlerësoi si një numër i vogël dhe i papërfillshëm në krahasim me përmasat e procesit të identifikimit elektronik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë