Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmbylli procesin e verifikimit paszgjedhor të numërimit të 10 për qind të votave të hedhura më 25 prill. Rezultati? Votat për partitë politike kanë qenë pothuajse korrekte me diferenca të vogla, që Komisioneri Ilirjan Celibashi i vlerësoi si gabime teknike.
Por, problematike janë shfaqur disa raste për votat e kandidatëve. Këtu, KQZ ka identifikuar disa raste kur në një qendër votimi diferenca mes votave reale të marra dhe atyre të shënuara në procesverbale është e madhe dhe në katër raste mbi 20.
Si shembull, në rastin e kandidatëve të Partisë Socialiste, nga verifikimi i KQZ-së rezulton se më i penalizuari ka qenë Fatmir Xhafaj në Tiranë, të cilit numëruesit i kanë hequr 60 vota më 25 prill. Ndërkohë, më i favorizuari është ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi në Gjirokastër, të cilit i janë shtuar 40 vota më shumë nga sa ka marrë në realitet.
Në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike verifikimi i KQZ-së ka nxjerrë një problematikë më të thellë dhe në të dyja rastet rekordet janë vendosur në Elbasan. Këtu, më i favorizuari rezulton kandidati i PD-së, Lefter Gëshenjta, që ka marrë 116 vota më shumë nga sa është votuar në realitet. Më i penalizuari nga PD është sërish nga ky qark dhe bëhet fjalë për kandidatin Ardian Zeneli, të cilit i janë hequr 100 vota. Kandidati i dytë nga PD më i favorizuar nga numëruesit është Zef Hila në Shkodër me 104 vota më shumë nga sa është votuar realisht.
Në radhët e LSI-së, më e favorizuara është kandidatja Eriona Bixha që ka marrë 25 vota më shumë nga sa është votuar në realitet, ndërsa kandidati më i penalizuar është Agron Çelaj në Shkodër që ka marrë 23 vota më pak nga sa është votuar.
Komisioneri Zgjedhor, Ilirjan Celibashi tha se KQZ do të nisë një hetim administrativ dhe në rastet kur provohet që shkeljet janë teknike do të ndërmarrë masa disiplinore, ndërsa në rastet kur do të dyshohet se deformimi i votës ka ndodhur me qëllim do t’i referojë në prokurori për ndjekje penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje