Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vlerëson si të suksesshëm aplikimin e teknologjisë më 25 prill, si identifikimin, ashtu edhe testimin e votimit elektronik në njësinë numër 10 në Tiranë.
Komisioneri Ilirjan Celibashi tha se votimi elektronik rezultoi më i saktë, sidomos në procesin e numërimit të votave për kandidatët, por në lidhje me mundësinë për ta shtrirë atë në të gjithë vendin tha se duhet të merret parasysh balanca kosto-përfitim.
Një prej mundësive që mund të shqyrtohet, duke pasur parasysh koston e lartë të kësaj teknologjie, Celibashi sugjeroi se mund të jetë ajo që në qendrat e mëdha urbane me numër të lartë votuesish të aplikohet, ndërsa në zonat rurale me qendra votimi të ulët jo.
Sa i takon përbërjes së administratës zgjedhore, Celibashi kërkoi nga palët politike që të ngrenë sa më parë Komisionin për Reformën Zgjedhore në Kuvend, për të mos pasur ndryshime të ditëve të fundit dhe për t’i dhënë kohë KQZ-së që të organizojë proceset zgjedhore të së ardhmes.
Ai nuk dha një variant të preferuar të KQZ-së në këtë çështje, ndërsa përmendi tre variantet që parapëlqen politika, që nga ai i përbërjes politike të komisioneve, një përbërje hibride dhe një përbërje krejtësisht administrative.
Për numërimin, Celibashi u shpreh se personalisht i qëndron idesë që ky proces të kryhet në qendrat e votimit dhe jo përmes përqëndrimit të kutive të votimit në KZAZ, që më pas shkaktojnë vonesa dhe përplasje mes palëve politike që zvarrisin nxjerrjen e rezultatit.
Në këtë dalje, Komisioneri Celibashi u pyet për rastin e Tom Doshit. Ai tha se KQZ do të marrë në shqyrtim dosjen e dërguar nga Prokuroria dhe më pas të vendosë në lidhje me të.
Komisioneri tha gjithashtu se KQZ është gati edhe për organizimin e zgjedhjeve të parkohshme në gjashtë bashkitë, për të cilat pritet shpallja e datës nga ana e Presidentit Ilir Meta, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive për shpalljen e tyre të pavlefshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje