Kryeministri Edi Rama tha të mërkurën se Presidenti Ilir Meta nuk ka të drejtë të japë opinion zyrtar lidhur me ndryshimet e Kushtetutës, pasi është i detyruar t’i nënshtrohet vendimit sovran të Kuvendit.
Por Meta ka një këndvështrim tjetër për sovranin dhe se kujt i përket.
Gjatë konferencës për shtyp, Presidenti Ilir Meta, kujtoi 2 marsin, kohë kur paralajmëroi shpërndarjen e Parlamentit.
I pyetur përse dekreton ligje ndërkohë që Parlamentin e quan ilegjitim, kreu i shtetit tha ndër radhë se situatë perfekte nuk ka.
“…Ju kërkoni perfeksion kushtetues, ligjor, procedurial nga presidenti që ka qenë dhe mbetet shembulli më i mirë i respektimit në frymë dhe në gërmë të Kushtetutës të çdo ligji, konvente ndërkombëtare dhe kërkoni ta vini presidentin në situatë jo perfekte duke harruar se presidenti që kur u hodh ideja e marrë e djegies së mandateve ka qenë kundër dhe ua ka thënë në sy.
E dyta, bëra të qartë, qeveria të bëjë dy hapa pas, e opozita një hap pas, të mos djegë mandatet. Edhe diplomatëve u tha se kjo do të sjellë krizë, e vetmja gjë që mund të bënte presidenti ishte që ta linte edhe këtë institucion dhe ka dy vjet që provokohet nga të gjitha drejtimet, që ta lërë të vetmin institucion legjitim për fat të keq…
…Në propozimin tim për Edi Ramën, në 8 prill, thashë se nëse duhen ndryshime që kanë të bëjnë me prekjen e paketës së reformës së drejtësisë e për çdo çështje të tillë të rëndësishme kjo duhet bërë në konsensus të gjerë…
…Presidenti këtu është, nuk ikën presidenti, por populli aty është, e kujtoni 2 marsin, shpërndaje shpërndaje thotë…
Punojmë me letra dhe jo me hartime. Aty është 2 marsi”, tha ai.
Meta iu përgjigj Ramës kur tha se sovraniteti nuk i përket askujt tjetër veçse popullit.
“Sovrani nuk i përket kuvendit apo pushtetit lokal, sovraniteti i përket popullit dhe këtë çështje e ka vendosur populli në pikën 96 të Kushtetutës”, shtoi ai
Presidenti tha se nuk do t’i njohë ndryshimet kushtetuese. Ai kërkoi reflektim dhe se partitë politike duhet t’i qëndrojnë besnike marrëveshjes së arritur.
Ndryshimet kushtetuese, sipas tij, duheshin bërë që para një viti dhe se ato janë të ndaluara të ndërmerren si nisma edhe në periudhë fatkeqësie natyrore, siç ndodhi sipas tij me nismën e fundit që u propozua me 15 qershor.
Ndryshimet e propozuara, sipas tij, përveç anti-kushtetueshmërisë do të krijojnë edhe përplasje të fortë.
Nga selia e Presidencës, Meta foli për shumëçka rreth kësaj çështje, dhe arsyet ligjore se pse atij ndryshimet i duken anti-kushtetutese.“Iniciativa e mazhorancës për të ndryshuar Kushtetutën pa konsensusin e Këshillit Politik e prish në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e 5 qershorit dhe e zeron këtë marrëveshje”, – tha Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje