Politike

Ndryshimet kushtetuese, pse Meta sot ishte më opozitë se Basha

Nuk i ngjante daljeve javore të tij, kur fliste për shumë çështje.

Në një konferencë të pazakontë për shtyp, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, foli vetëm për ndryshimet Kushtetuese dhe pasojat e saj.  Jo vetëm nga ana ligjore, por edhe politike. Ishte një qëndrim i paralajmëruar këtu e tre ditë më parë. Deklarata e Metës ishte e fortë dhe shteruese.

Ndryshe nga PD-ja që, përmes Gazmend Bardhit (dy ditë rresht) përcjell qëndrimin e vakët, pa bërthamë politike se, “pasojat kushtetuese do të jenë të rënda për stabilitetin dhe integrimin e vendit”, Presidenti Ilir Meta u shfaq shumë më i drejtpërdrejtë.

Politikisht në daljen e sotme Meta mund të konsiderohet ashiqare si zëri i opozitës.

Pse?

Sepse Ilir Meta tha se nuk i njeh ndryshimet kushtetuese që do të kalojë Edi Rama, tha se këto ndryshime zerojnë marrëveshjen e 5 qershorit, tha se ky Kuvend është ilegjitim (edhe pse ai vetë pranoi se ishte ‘detyruar’ të kalonte ligje të miratuara prej tij), kujtoi 2 marsin për të paralajmëruar se në një situatë të mundshme, ai sërish do lëvizë politikisht po aq fort sa atëherë kur mblodhi popullin në shesh për të kërkuar shpërndarjen e Kuvendit. Si dhe përmendi referendumet edhe për hapjen e listave dhe koalicionet.   

Ilir Meta dukej i tensionuar, nuk pranoi pyetjet e gjithë gazetarëve, dhe i mundua t’i vendoste kufirin tek thana Edi Ramës kur i kujtoi se, ndryshe nga ky i fundit, sovrani nuk i përket Kuvendit, por vetëm popullit.

Po Lulzim Basha?

Basha, së fundmi, dy herë ka nxjerrë Gazmend Bardhin për të përcjellë qëndrimin se po rrezikohet stabiliteti i vendit, ka përcjellë vetë të njëjtin mesazh (vetëm me deklaratë) nga takimi me Ilir Metën, nuk ka dhënë qëndrim se çfarë do të bëjë PD-ja në rast se Rama i kalon ndryshimet, dhe ka përcjellë pa ndonjë vëmendje të madhe arsyet se pse ndryshimet kushtetuese shkelin marrëveshjen e 5 qershorit. Bardhi ka renditur vetëm dy nene. 

Po Ilir Meta?

Presidenti i Republikës radhiti sot 15 arsye se pse Kuvendi aktual nuk ka legjitimitetin e duhur dhe të plotë për ndryshime kushtetuese. Shpjegoi po me argumente juridike se  pse iniciativa për ndryshimin e Kushtetutës është në vetvete antikushtetuese, dhe pse ndalimi i koalicioneve është gjithashtu i tillë.

Qëndrimi i tij mori reagimin me të njëjtën gjuhë të Ramës. Sa ligjor aq edhe politik: “Se listat do hapen nga Kuvendi me ligj, me zakon e me karton”

Paralelisht me Metën, nga PD-ja nuk foli Basha. Gazmend Bardhi sërish. Me një qëndrim thuajse të një ditë më parë. Me të vetmen ndryshim. Por jo paralajmërues, si Meta.

“Se hapja e diskutimit për çështje, që nuk janë pjesë e marrëveshjes e detyron PS që ta shtrojë si çështje në Këshillin Politik”…Kthim mbrapa?!


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë