Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se pas zgjedhjeve të 14 majit PD-ja do të përfshihet në proces riorganizimi pa dhënë një përgjigje konkrete se cila do të jetë përgjegjësia e tij nëse PD-ja del me një rezultat zhgënjyes.
Alibeaj ka sqaruar gjithashtu se PD-ja do të përfshihet në proces zgjedhjesh, përfshi këtu edhe zgjedhjen e kryetarit.
A është Lulzim Basha njeri prej kandidatëve që do të garojë sërish për PD? Alibeaj nuk ka dhënë një përgjigje konkrete, por kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, po.
“ Lul Basha dhe kushdo tjetër që nuk është non grata nuk është i penalizuar ka të drejtë të rikandidojë për kryetar i partisë sa kohë je anëtar i një partie. Unë dua që të ketë një proces të hapur gjithëpërfshirës. Luli është një njeri, i cili e ka derën të hapur, do kandidojë. Ma merr mendja që ai do kandidojë. Do fitojë apo jo, këtë nuk e di, por ama di që do kandidojë… Brenda kësaj PD-je që jemi ne, Lul Basha ka një ‘network’ goxha të konsiderueshëm, ‘network’ njerëzish, pra ka rrjet njerëzish dhe këta janë njerëzit me të cilët unë bëj fushatën”, deklaroi Bejko në emisionin “Stop”.
Edhe Bejko si Alibeaj tha se PD do të vazhdojë të ringrihet pas 14 majit pavarësisht përqindjes që do të marrë PD-ja në zgjedhje si force politike.
Vetë Lulzim Basha nuk ka deklaruar asnjëherë nëse dorëheqja e tij në krye të PD-së ishte i parevokueshme.
Ai figuron ende në gjykatë si kryetar i PD-së dhe po aq e vërtetë është edhe fakti se ai nuk ka dhënë përgjigje nëse do të synonte sërish drejtimin e partisë.
Basha deklaroi publikisht për mediat se do të merrte pjesë në fushatën e PD-së në gjithë vendin, por ai nuk u pa askund, përveçse u shfaq në një video që u interpretua nga një media afër Berishës si takim me Taulant Ballën për të cilën deri në publikimin e këtij lajmi ende nuk ka reaguar nëse është e vërtetë apo jo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje