Një video e publikuar nga “Syri” Tv pasditen e të mërkurës ka bërë xhiron në rrjetet sociale. Arsyeja; personazhe të kësaj video janë ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla. Me aq sa mund të kuptohet në video (e publikuar më vonë edhe nga Berisha) shihet se Basha dhe Balla hyjnë në të njëjtën pallat dhe shkallë në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar afërsisht në të njëjtat orare.
Pamjet janë marrë nga kamera e sigurisë së ndërtesës dhe e vetmja qartësi e videos është shkalla e pallatit ku futen si Balla ashtu edhe Basha, por nuk vërtetohet nëse ata të dy janë futur edhe në të njëjtën banesë.
Shumëkush mund të mendonte se ato pamje janë edhe rastësi hipotetike, por Lulzim Basha (rreth 24 orë më vonë) reagoi përmes një postimi në Tëitter, duke thënë se video është montazh.
Qëndrimi i Bashës ishte i karakterit përgjithësues pa referim konkret, duke lënë të kuptohet se reagimi i tij lidhet me videon e publikuar sa kohe që ai prej kohësh nuk është aktiv as në rrjetet sociale.
Montazhet qesharake, shpifjet dhe trillimet që bëhen për ti fryrë përçarjes së demokratëve janë shërbimi më i mirë për Ramën. Nuk mbahen dot me sajesat e minutës së fundit, gënjeshtrat e dala boje para gjithë botës.
— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) May 11, 2023
“Montazhet qesharake, shpifjet dhe trillimet që bëhen për t’i fryrë përçarjes së demokratëve janë shërbimi më i mirë për Ramën. Nuk mbahen dot me sajesat e minutës së fundit, gënjeshtrat e dala boje para gjithë botës…”, shkruan Basha
Nga Taulant Balla deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pasur asnjë reagim.
Prej kohësh Sali Berisha dhe përfaqësues të ‘Rithemelimit’ e kanë akuzuar Bashën se ka shitur partinë tek Edi Rama dhe se me këtë të fundit madje ka bërë edhe marrëveshje të fshehta në kurriz të PD.
Koha të cilës i referohet video lidhet me disa zhvillime politike në vend duke filluar nga tërheqja e padisë së Enkelejd Alibeajt në gjykatë (për të njohur statutin e miratuar nga Kuvendi i Bashës) me qëllim shqyrtimin në themel të vulës së PD, vendimi për të cilën erdhi pak ditë para regjistrimit zyrtar të forcave politike në KQZ për zgjedhjet lokale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje