Politike

Mesazhet e Bashës / Nga bashkëpunimi me PS për reformën zgjedhore, dialogu me të huajt, protestat dhe qëndrimi për Berishën

Për rreth një orë, kryetari i PD-së, Lulzim Basha mbajti konferencën e parë për shtyp për mediat qysh pas 25 Prillit, por me fokus të vetëm raportin e OSBE-ODIHR i publikuar të hënën në mbrëmje.

“Ky raport ka konfirmuar atë që shumica dërrmuese e shqiptarëve e dinë që 25 prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Konfirmon atë që ne kemi thënë prej ditës së parë, që 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Këtë tani e di gjithë bota demokratike. Sepse ky raport është vula e turpit në vjedhjen më të madhe të kryer në historinë e pluralizmit. Vjedhje masive të votave dhe presion ndaj votuesit, e kemi thënë ne, e thotë edhe raporti. Shkrirja në një e partisë me pushtetin, e kemi thënë ne e thotë edhe raporti. Keqpërdorimi i aseteve, abuzimet me pushtetin, rritje fiktive e administratës publike, rritje fiktive e administratës e kemi thënë ne e thotë edhe raporti”, tha Basha.

Gjatë konferencës për shtyp, Basha përsëriti disa herë nevojën për bashkëpunim dhe rivendosjen  e urave të dialogut me faktorët e brendshëm por edhe ata ndërkombëtar në funksion të “legjitimitetit dhe demokracisë”.

Urat e dialogut me ndërkombëtarët, Basha i përsëriti disa herë. Ndërkohë u kuptua qartazi se do të bashkëpunojë në shtator me PS-në për reformën zgjedhore. I pyetur konkretisht për këtë çështje, Basha u përgjigj:      

“Detyra para nesh është shumë më e madhe sa ribërja në mënyrë gjithëpërfshirëse e një reforme zgjedhore të standardeve demokratike, detyra është që duke kuptuar dhe pranuar (nisur nga konkluzionet) krizën e thellë që ndodhet Shqipëria krizën e demokracisë, të bëjmë gjithçka që aspiratat të gjejnë shprehje në çdo akt dhe veprim në çdo aksion të PD brenda dhe jashtë Kuvendit. Natyrisht duke përfshirë detyrimin e palëve për një Kod Zgjedhor që të garantojë fshehtësinë e votës dhe votën e lirë…”.

Duke qenë se fokusi i tij ishte raporti i OSBE-ODIHR, Basha iu shmang dy pyetjeve të ditës për PD-në që lidhet me pjesëmarrjen e Berishës në Kuvend në muajin shtator dhe shkrirjen e kryesisë së PD-së degës Korçe përmes disa dorëheqjesh.

Basha nuk preferoi të komentonte drejtpërdrejtë por la të kuptojë shumëçka për të dyja pyetjet.

Në rastin e Berishës, Basha tha se beteja e PD-së është vetëm me dekriminalizimin teksa u pyet se a do të aplikohet i njëjti standard si me Tom Doshin për të mos qënë në Kuvend edhe për Sali Berishën që u shpall “non grata”?

Basha la të kuptojë qartazi se dy rastet janë të ndryshme ndaj dhe qëndrimi me gjasë nuk do të jetë i njëjtë.

Megjithatë, kryetari i PD-së sërish nuk e dha një përgjigje të drejtpërdrejtë  

“Jemi krenar për ligjin e dekriminalizimit. Ne nuk harrojmë që megjithëse nuk i kishim numrat në Parlament detyruam mazhorancën në 2014 dhe 2015 të pranonte plagën e rëndë të kriminalizimit, përmes futjes së personave me rekorde kriminale si deputetë, kryetar bashkish. Kriminalizimi i politikës është një vepër e mirëmenduar e kreut të kësaj partie…

Beteja jonë për dekriminalizimin do të vazhdojë me gjithë fuqinë, nuk kam për të komentuar asnjë çështje që del jashtë këtij raporti dhe do të mbetem i hapur për koment në çdo takim tjetër sepse mendoj që çdo devijim nga raporti nuk i shërben interesit publik, do kemi kohe për të diskutuar gjithçka tjetër…”

Ndërsa për dorëheqjen e kryesisë së PD-së, Korçë, Basha tha ndër radhë se diversioni nuk do ta shkëpuste vëmendjen nga raporti i OSBE-ODIHR.

A mendon PD për protesta?

“Sa i përket mjeteve e mënyrave ju garantoj që PD asnjëherë nuk është stepur para asnjë vendimi për të përmbushur detyrën e saj para shqiptarëve e demokracisë e s’do stepet as sot kur nevoja për të rikthyer demokracinë në vend është më e madhe se kurrë”

Basha kishte një kërkesë edhe për SPAK.

“Është detyrë e SPAK të ndjekë me përparësi dosjet e krimeve zgjedhore, përfshi ato që kanë zënë pluhur e të ndalë ping pongun me këto dosje. Të mos lirohen autorët e dosjes 339 por të ndëshkohet kushdo në veçanti ortakët politikë që masakruan çdo standard zgjedhor që zhbënë të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur të lirë…”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë