Politike

Mesazhi i Kim dhe betimi i përsëritur i Berishës: Sikur një të mbesë në PD, ai do jem unë

Sali Berisha e filloi javën e tij me një mesazh të përsëritur por jo pa qëllim.    

Një premtim që ai mbajti para demokratëve, si kryetar i partisë, në 25 vjetorin e themelimit të PD, të cilin Berisha e konsideron si “betimin solemn para demokratëve”

 “Sikur 1000 të mbeti do të mbetem njëri prej jush, sikur 100 të mbeti do mbetem njëri prej jush, sikur vetëm një të mbeti do të jem njëri prej jush. Rroftë Partia Demokratike. Zoti i bekoftë demokratët dhe Shqipërinë, flamurin e saj shqiptarët kudo që janë ”, shprehet Berisha në videon e publikuar.

Ky është “betimi” i dytë i Berishës brenda një kohe të shkurtër shpërndarë në rrjetet e tij sociale. Këtë mesazh Berisha e përcolli edhe gjatë garës për kreun e PD-së, ndërsa fokusi i tij tanimë është përqendruar tek qëndrimi i drejtpërdrejt i ambasadores amerikane Yuri Kim e cila në takimin e fundit në selinë blu i kërkoi Lulzim Bashës që të shkonte në Kuvend në shtator pa Berishën.

“Do ishte ironi historike dhe po aq tragjike për këtë vend dhe jo vetëm për partinë që partia do duhej të hante bar për hir të një deputeti të saj…

Për këtë arsye ka vendime të vështira përpara për të gjithë. Shpresoj që njerëzit të kenë mundësi të çlodhen në muajin gusht dhe të kthehen të freskët por dhe të përtërirë për ato që ka e ardhmja”, tha ambasadorja Kim pas takimit me Bashën, një deklaratë kjo që solli reagimin e Berishës duke kujtuar ndër radhë se ai nuk kishte ndërmend të dorëhiqej nga mandati i deputetit.

Një lëvizje që Berisha nuk ka ndërmend ta ndryshojë duke ia lënë Lulzim Bashës barrën politike nëse do t’i duhet të vendosë mes tij dhe marrëdhënieve me SHBA.     


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë