Këshilli Politik, i ngritur për zgjedhjet, nuk e ka mbyllur ende punën edhe pse u duk se dera i tij u mbyll me hartimin e marrëveshjes.
Por ndryshe nga pakti i 5 qershorit, jo në tokën amerikane, por atë shqiptare, puna e Këshillit me përfaqësues PD-PS-LSI po
shkon drejt një tjetër dimensioni. Krejt politik. Dhe aspak teknik.
Sepse siç po ecën rrjedhja e ngjarjeve politike “Këshilli” nuk është më Oerd Bylykbashi, Damian Gjiknuri apo Petrit Vasili.
Por trinomi politik; Rama-Meta-Basha.
Qyshse ndryshimet kushtetuese kaluan në komisionin e Ligjeve, Lulzim Basha, përmes opozitës së bashkuar, ka dalë kundër tyre.
Për Lulzim Bashën, Kushtetuta dhe sistemi zgjedhor duhej të vendosej vetëm nga qytetarët me referendum popullor.
Por ndryshe nga ky qëndrim i përsëritur tre ditë rresht, (qoftë përmes opozitës së bashkuar apo deklaratës pas takimit me Ilir Metën) Lulzim Basha, përmes Gazmend Bardhit, tha befas një ditë më parë se, “nëse PS është vërtet e interesuar për të rihapur diskutimin për çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar t’i parashtrojë për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik”.
Dhe kur qëndrimi ndryshon, eksperienca ka treguar se diçka po lëviz në dy kampet kryesore politike.
Këtë e ka kuptuar edhe Ilir Meta që kërkon të jetë në lojë. Ndryshe nga një ditë më parë, kur foli me tone të ashpra dhe paralajmëruese, Meta “u zgjua” në mëngjes me të njëjtin qëndrim si të PD-së, duke ripostuar deklaratën e Bardhit.
Meta e përcolli komentin e tij me jo pak doza ironike ndaj Bashës.
“Dje në mesnatë mora një mesazh nga një intelektual i nderuar si Prof.Kristaq Kume… Ai sugjeronte se çdo ide për ndryshime nga Marrëveshja e 5 Qershorit duhet të shkonte përsëri në tryezën e Këshillit Politik. Sot në mëngjes, pa gdhirë mirë, i kërkova takim z.Basha për të parë a ishte i hapur për një ide të tillë…” , shkruante Meta ndër radhë.
Burime nga PD-ja thanë për gazetën “Si” se po negociohet në këtë drejtim, por ende nuk ka diçka konkrete që të reflektohet në një mbledhje të Këshillit Politik.
Bisedat jo formale mes palëve po reflektohen edhe në rrafshin ndërkombëtar.
Nga paralajmërimi i Zv.kryetarit të Grupit të CDU-CSU në Bungestag, Johann David Ëadephul, dhe reagimit po aq të ashpër ndaj tij nga Edi Rama, Parlamenti Europian foli përmes
tre eurodeputetëve jo pak të rëndësishëm, David McAllister, Isabel Santos dhe Manolis Kefalogiannis.
24 orë më parë, të tre ata përcollën qëndrim të ashpër kur thoshin se, “çdo modifikim i marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë realizimin e Konferencës së Parë për negociatat e anëtarësimit dhe për rrjedhojë, të ngadalësojë procesin e integrimit europian”.
Por postimi i tyre u fshi nga faqja e Parlamentit Europian, për ta ribotuar me një ndryshim thelbësor edhe pse në dukje nuk kuptohet si e tillë.
Nga paralajmërimi se një hap i tille mund të rrezikonte mbledhjen e Konferencës, tre eurodeputetët ridalin me një qëndrim shumë më të moderuar, duke këmbëngulur jo tek rreziku, por tek rëndësia e arritjes së një marrëveshje mes gjitha palëve.
Në postimin e dytë të tre eurodeputetëve, që u shpërnda me vrik nga Presidenti Ilir Meta thuhet se, “është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje, të ruhet dialogu dhe konsensusi me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të mund të mblidhet konferenca e parë për negociatat e anëtarësimit…”
Abcneës iu drejtua mëngjesin e të premtes Parlamentit Europian duke pyetur se përse teksti fillimisht u fshi dhe më pas u ribotua me disa ndryshime.
Nga PE pati një reagim të prerë se, deklarata e fshirë nuk ishte qëndrimi final i tre eurodeputetëve.
Gjuha e moderuar e Parlamentit Europian në fakt nuk e zhbën qëndrimin alert që ka Gjermania në raport me atë që po ndodh në Shqipëri.
Ministri për Punët e Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas deklaroi të premten se Gjermania synon mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut gjatë presidencës së saj të Bashkimit Europian, por nuk dha të njëjtën siguri për Shqipërinë.
Presioni duket i madh dhe topi (pas qëndrimit të moderuar të Bashës dhe pranimit me “hir e pahir” nga Meta) ka mbetur në fushën e Ramës i cili vetëm një ditë më parë tha se ndryshimet kushtetuese do t’i kalonte me patjetër në Kuvend.
Përgjigja e PS-së, në raport me atë çka po kërkon opozita, apo edhe presioni gjerman, nuk është aq e thjesht për tu marrë.
Sepse nëse diskutimi për ndryshimet Kushtetuese do të kthehet në Këshillin Politik, (duke miratuar paralelisht marrëveshjen e 5 qershorit), kjo do të sillte një debat shumë të gjerë sesa vetë listat dhe koalicionet.
“Nëse do të flasim për ndryshim të rregullave të lojës siç Rama e bëri me koalicionet, atëherë hajde të flasim për gjithë sistemin zgjedhor. Se kjo nuk mund të merret si diçka e shkëputur”, thanë burime nga PD-ja.
Por hapja e një diskutimi të tillë në fakt do ta çonte debatin përtej 30 korrikut afat kur PS-ja ka përcaktuar për kalimin e ndryshimeve kushtetuese.
Dhe eksperienca ka treguar se kur gjerat shtyhen, ato më shumë arkivohen sesa japin zgjidhje. Aq më tepër kur vetëm do muaj na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare.
A është dakord Rama për këtë lëvizje të re që sa duket po imponohet më shumë nga jashtë sesa nga brenda?
Kjo pritet për tu parë. Nga PS nuk ka ende përgjigje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje