Rreth 45 për qind e shqiptarëve mendojnë se sistemit politik është i padrejtë dhe duhet ndryshuar, qoftë edhe me dhunë nëse është e nevojshme. Kjo është gjetja e një studimi të ndërmarrë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Studimi tregon se 51.1 për qind nuk besojnë se sistemi politik është i padrejtë dhe duhet ndryshuar me dhunë, megjithëse po gjysma besojnë se shqiptarëve përgjithësisht nuk u respektohen të drejtat dhe liritë nga institucionet shtetërore.
Në të vërtetë, përgjigja për këtë pyetje është disi më pozitive se sa në 2018-ën. Sërish, 18.9 për qind e shqiptarëve do të mbështesnin plotësisht dhunën si mjet për ndryshim politike dhe ashtu si në 2018-të, studimi nuk gjeti motive fetare pas këtij perceptimi. Shqiptarët që praktikojnë ritet e një besimi fetar kanë më pak gjasa që të bien dakord me deklaratën se sistemi politik është i padrejtë dhe duhet ndryshuar, qoftë edhe me dhunë.

Të anketuarve u është kërkuar gjithashtu që të identifikojnë llojin e ekstremizmit të dhunshëm që në këndvështrimin e tyre është më kërcënues për komunitetin vendor.
Studimi gjen një rritje të ekstremizmit politik. Pothuajse një në tre shqiptarë beson se ekstremizmi politik në Shqipëri është më i madh e më kanosës për paqen sociale se sa llojet e tjera të ekstremizmave në komunitet.
27.3 për qind e tyre janë përgjigjur se prania e individëve dhe grupeve që nxisin ekstremizmin politik është më kërcënuese, ndërsa 61.9 për qind mendojnë se jo dhe 10.9 për qind të tjerë janë të pasigurtë.
Shqetësuese është gjetja se 40 për qind e personave të arsimuar dhe 47 për qind e të vetëpunësuarve shohin ekstremizmin e dhunshëm politik si kërcënimi kryesor në komunitetin e tyre. Kjo shifër zbret në 37 për qind tek studentët.
Studimi thekson se rritja e perceptimit dhe shqetësimit për ekstremizmin politik justifikohet me prirjen mbarëbotërore të rritjes së populizmit dhe grupeve ekstremiste të djathta, megjithëse Shqipëria vazhdon të mbetet vendi më pak i prekur në Ballkanin Perëndimor nga ky fenomen.
Ndjenja e përjashtimit social si pasojë e nivelit të dobët të demokracisë, sundimit të ligjit dhe korrupsioni identifikohen si faktorët kryesorë të rritjes së ekstremizmit të dhunshëm politik, që gjithashtu po shtyn njerëzit të besojnë gjithnjë e më shumë se feja është një mundësi trajtimi për “korrigjimin” e klasës politike.
Sipas studimit, pothuajse 4 në 10 shqiptarë besimtarë praktikantë shohin tek feja një mundësi për trajtimin e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, duke qenë se besojnë se vendet me besim të fortë fetar kanë qeveri më pak të korruptuar dhe se në Shqipëri do të kishte më shumë drejtësi nëse më shumë njerëz do të bashkoheshin me fenë e tyre.
Në këtë studim kanë marrë pjesë rreth 1600 qytetarë nga zona të ndryshme të vendit dhe me status të ndryshëm social, ekonomik, kulturor dhe arsimimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje