Një grup anëtarësh të Partisë Demokratike, anëtarë të Kryesisë, të Këshillit Kombëtar, anëtarë të Forumit Rinor, studentë të dhjetorit 1990, themelues të PDSH-së, kanë dalë në një reagim të përbashkët ku përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve bëjnë lidershipin aktual të PD-së, duke filluar nga Lulzim Basha.
“Humbja e zgjedhjeve të 25 prillit 2021 nga Partia Demokratike ka përgjegjësit e saj e në radhë të parë kryetarin Z. Lulzim Basha! Ai, ndër të tjera, ka shuar ëndrrën për demokraci të qindra mijëra shqiptarëve, duke humbur dy palë zgjedhje të përgjithshme, duke dorëzuar pushtetin qendror, pushtetin vendor dhe opozitarizmin në dorën e Edi Ramës.
Partia Demokratike ka shembuj të një sjelljeje politike e qytetare në rastin e humbjes së zgjedhjeve në rrethana normale siç ishin ato të vitit 2013-të pas tetë vitesh qeverisjeje, kur kryetari i partisë Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të lartë të saj morën përgjegjësinë dhe dhanë dorëheqjen për t’i hapur rrugën ristrukturimit të partisë e zgjedhjes së një drejtimi të ri për bërë një opozitë të denjë për historinë e saj dhe për ta çuar në fitore”, thuhet në deklaratë.
Sipas grupimit i përbërë nga; Edith Harxhi, Endira Bushati, Bujar Nishani, Ibsen Elezi, Bislim Ahmetaj, Arben Imami, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Pirro Ahmetaj, Endrit Hoxha, kryetari i PD, Lulzim Basha qysh prej vitit 2013, kur mori drejtimin e partisë, “e ka drejtuar atë pa profesionalizëm dhe pa dinjitetin e nevojshëm institucional”.
“Ai është përgjegjësi i drejtpërdrejtë i mpakjes dhe, shpesh, edhe i shuarjes në mënyrë arbitrare të shumë strukturave të partisë, të largimit të shumë anëtarëve, themeluesve, dhjetoristëve, kontributorëve më të denjë, të shtyllës së saj kurrizore, të çdo individi dhe zëri të lirë, që nuk binte dakord me këtë mënyrë drejtimi të Partisë Demokratike, duke mos lënë mundësinë për asnjë forum të hapur dhe duke eliminuar demokracinë e brendshme në Parti.
Me Lulzim Bashën në krye të PD-së historia e këtyre tetë viteve të fundit është një histori dështimesh të Partisë Demokratike”, thuhet në deklaratë.
“Për këto arsye dhe shumë të tjera, ne, kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme dhe të parevokueshme të Kryetarit të Partisë Demokratike Z. Lulzim Basha, të Sekretarit të Përgjithshëm të PDSH-së të nën-Kryetarëve. Ne kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, me qëllim hapjen e rrugës për të nisur një proces rrënjësor reflektimi dhe analize, të domosdoshëm dhe jetësorë për Partinë, proçes, i cili të mundësojë zgjedhje të jashtëzakonshme, me një garë të drejtë, të hapur e demokratike për strukturat e reja drejtuese të Partisë, bazuar në modelet më të mira të partive tona simotra të së djathtës klasike…”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje