Politike

‘Opozita e rublave u bën thirrje njerëzve të mos kursejnë’. Balluku: Do e kthejmë Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë

Në seancën e sotme plenare ku do të diskutohet për të paktën katër orë për situatën energjitike në vend, ministrja e Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se, për të, është e pashpjegueshme sesi opozita kërkon debat për faktin që ERE vendosi të mos e aplikojë fashën 800 kwh.

Balluku ka akuzuar opozitën se po përfiton nga situata e krizës dhe se po tallet me fushatën ndërgjegjësuese për kursimin e energjisë si dhe po dezinformon qytetarët.

“Kjo opozitë të dilte një herë dhe të shpjegonte si u copëtua sistemi elektroenergjitik shqiptar. Si u vendos të shkëputeshin nga zinxhiri i prodhimit katër hidrocentrale në jug.  Dhe nga ta përfitojnë sot kompani private. Sot na duhet të dalim me importe dhe të plotësojmë kërkesën e tregut. Sot përballemi me situatë thatësire…”

Balluku kujtoi se kërkesa për mos vendosjen e fashës iu dërgua ERE-s nga qeveria pasi u përmirësua situata hidrike, dhe kjo e fundit e aprovoi. Zëvendëskryeministrja sqaroi se ERE mund vetëm të aprovojë propozime në mënyrë teknike dhe se nuk mund të marrë vendime për paketa sociale.

“Sot në muajin e dhjetë kemi arritur me reshjet të prodhojmë vetëm rreth 2 terravat. Ndërkohë kemi edhe thatësirën, nuk e di ju që mendoni se zoti ka qenë bujar me shqiptarët, shikoni të ketë rënë shi?

T’i kthehemi çfarë ju shqetëson juve më shumë. Jo të gjithë familjarët konsumojnë njësoj energji elektrike, sepse varet nga numri i personave, etj. Disa familje të cilat jetojnë në banesa më të mëdha, konsumojnë shumë më tepër energji se pjesa dërrmuese e shqiptarëve.

Është në të drejtë të çdo qytetari që të konsumojë sa të dojë, por shteti nuk mund të ofrojë mbrojtje sociale për ata që shpenzojnë më shumë.

Pasi u bazuam në metodologjinë e çmimit, u vendos edhe çmimi që do t’i përkiste çdo kilovatori më shumë se 800 kw”, tha ajo.

Balluku tha se në 17 ditët e para të tetorit, qytetarët kanë ulur me 5% energjinë krahasuar me vitin e kaluar.

Ajo shtoi se qeveria shqiptare do të bëjë të mundur që vendi ynë në vitin 2030 të kthehet në një eksportues neto të energjisë elektrike, duke përmendur edhe disa prej investimeve të pretenduara të PS-së në infrastrukturën energjitike.

“Kemi nisur ndërtimin e parkut më të madh fotovoltaik, në Karavasta. Shqipëria synon në vitin 2030 që të rrisë kapacitetet e saj energjitike. Ne do të arrijmë në 2030 që këtë vend ta bëjmë një eksportues neto nga një impotues neto”, u shpreh Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë