Prej minutës kur Lulzim Basha tha se Sali Berisha nuk përfaqëson PD-në në Kuvend, ish-kryeministri dhe lideri historik i së djathtës është shprehur se kjo lëvizje është “nul”.
“Do marr çdo nismë ligjore statutore brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton…”, përsëriti Berisha qëndrimin e të enjtes mbrëma, por pa përmendur se çfarë.
Për të kuptuar “nismën statutore” të Berishës, Gazeta “Si” ka bërë një interpretim se çfarë mund t’i lejojë Berishës statuti i partisë.
Dhe rezulton se ka dy rrugë;
1) Berisha të kontestojë vendimin për përjashtimin nga grupi (por jo Kuvendi) në rrugë zyrtare;
2) të ndërmarrë një nisme për shkarkimin e kryetarit.
Të dyja variantet gjejnë një farë zgjidhje në statutin e partisë.
Në rastin e parë, nëse Berisha do të kontestojë vendimin e Bashës atëherë ai duhet t’i drejtohet nenit 54 të statutit që bën fjalë për komisionin e Apelimit, Integritetit dhe Etikës që aktualisht drejtohet nga Flutura Açka.
Në pikën dy të këtij neni thuhet, “komisioni shqyrton ankesat nga anëtarët e PDSH-së kundër masave disiplinore të marra ndaj tyre nga secili organ i partisë…”
A kishte të drejtë statutore Lulzim Basha ta ndërmerrte një veprim të tillë?
Në pikën 5 të nenit 27 të Statutit të ndryshuar thuhet se, “në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore”.
Po në këtë nen thuhet gjithashtu se sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm, gjë që Basha nuk e ka bërë.
Megjithatë, Komisioni i Apelimit në anën tjetër nuk ka të drejtë të marrë ndonjë vendim të rëndësishëm.
Ai mund të shprehet për mospërputhjet e vendimeve të marra nga organet qendrore, kryesitë apo anëtarët, me Statutin e Partisë, dhe ka të drejtë të japë vetëm vlerësim mbi interpretimin përfundimtar të dispozitave të Statutit.
Rruga e dytë ajo e shkarkimit është një tjetër mision i vështirë për Berishën, nisur nga përbërja e re e Këshillit Kombëtar të zgjedhur nga Kuvendi i fundit, ku u miratuan me ngritje dore të gjitha vendimet e Lulzim Bashës.
Neni 43 i statutit flet për kompetencat e Kuvendit Kombëtar.
Në një nga pikat e saj thuhet se Kuvendi Kombëtar ka kompetencë shkarkimin e Kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Këshilli Kombëtar, si rregull, mblidhet jo më pak se një herë në vit.
Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari i Partisë ose Kryesia e Partisë.
Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe nëse e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij. Në këtë rast, Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës.
Aktualisht, Këshilli i ri Kombëtar i PD-së përbëhet nga 487 anëtarë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







Lini një Përgjigje