Politike

Vettingu në politikë, domeni i opozitës që u përdor për arsye thelbësisht politike

Vettingu në politikë i propozuar befas nga ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, aktualisht kryetar i Këshillit Kombëtar në PD ka qenë gjithnjë domen i opozitës, më saktë propozim dhe më pas nismë konkrete e Partisë Demokratike.

Bujar Nishani e risolli këtë temë me një tjetër përmbajtje dhe ndryshe nga vitet e kaluara, iniciativa e tij ngjan individuale, pa mbështetje nga strukturat zyrtare.

Vettingu në politikë i kërkuar nga Bujar Nishani, për cdo politikan 10 vitet e fundit vetëm për pasuritë që ata kanë ngritur, vjen në një kohë të trazuar për PD-në.

E tillë ishte edhe tre vjet më parë, kur Kuvendi ziente nga zbatimi i reformës në drejtësi, dhe  krejt befas për arsye thelbësisht politike, në shtator të vitit 2018, Lulzim Basha bën një propozim konkret për disa ndryshime në Kushtetutë i mbështetur edhe nga grupet parlamentare të LSI dhe PR.

Vettingu i politikës i tre viteve më parë i propozuar në letër nga PD nuk i ngjan asaj të propozuar nga Nishani.

Ai ishte një draft teknikalitetesh dhe i dikutueshëm që në thelb synonte pastrimin e niveleve më të larta të shtetit nga individë që kishin kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.

Vettingut duhej t’i nënshtroheshin kryeministri, ministrat, deputetët, (jo familjarët e tyre) kryebashkiakët dhe drejtuesit apo anëtarët e institucioneve kushtetuese e ligjore që votoheshin nga Kuvendi dhe kalonte në dy faza; 1) Vetëdeklarimi apo paraqitja e një deklarate të detajuar në lidhje me kontaktet, shoqërimin apo lidhje të tjera me persona me aktivitet kriminal; 2) Verifikimi që nënkuptonte kryerjen e një hetimi të plotë për të parë nëse funksionari kishte apo jo kontakte me individë të krimit të organizuar.

Tre vjet me parë demokratët dhe vetë Basha argumentuan gjerë e gjatë se vettingu i politikës nuk i mbivendosej dekriminalizimit (një tjetër nisme të mëhershme të opozitës) pasi ky proces e plotësonte atë, dhe mbi të gjitha nuk ndërhynte tek puna e SPAK dhe BKH, aty ku ishte edhe thembra e Akilit.

PD argumentonte se propozimi i saj nuk i mbivendosej punës së SPAK pasi në përfundim të hetimit nga ky organ zyrtari mund të dënohej ndërsa vettingu i politikës ishte më shumë një proces administrativ.

Në një hark kohor për tre muajsh, nisma i çua për këshillim edhe Komisionit të Venecias nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi

Venecia vlerësoi në një kohë rekord se amendamentet kushtetuese dhe ligji për vetingun e politikanëve duhet të kishin një qëllim të ligjshëm dhe të respektonin parimin e proporcionalitetit.

Socialistët nuk e rrezuan që në fillim nismën duke kërkuar bashkëpunim për pika të veçanta të draftit, një kërkesë kjo që u refuzua në mënyrë kategorike nga Basha i cili kërkoi ose miratimin në bllok të nismës ose rrëzimin pa negociuar për përmbajtjen.

Nisma u rrëzua me shumicë votash në dhjetor të vitit 2018 duke kaluar në “draft” jo vetëm përmbajtjen por edhe debatin politik nga PD-ja e cila qysh prej asaj kohe nuk e ka hedhur më për diskutim këtë cështje.

..Pas tre vitesh, vettingu në politikë “rivjen” krejt e thjeshtë.
Sepse edhe zhvillimet në PD kanë ndryshuar jo pak…

Kësaj here në lojë është fati i liderit historik të PD-së që për ironinë e fatit lidhet ngushtësisht me reformën në drejtësi.

Me një ndryshim thelbësor. Propozimi vjen në formë jo zyrtare, si zë i shkëputur nga PD…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë