Politike

Xhelal Mziu: PD mund të dalë me kandidatë të përbashkët duke bërë disa ndryshime emrash në listën aktuale

Deputeti i PD-së, Xhelal Mziu, i cili organizoi edhe drekën e “bashkimit” mes grupit parlamentar tha se ekziston mundësia e një liste unifikuese të kandidatëve për zgjedhjet lokale, por duke bërë disa arnime, apo ndryshime të kandidatëve të zyrtarizuar deri më sot.

“Duke marrë shkas nga bashkëpunimi, ose më saktë nga përcaktimi i dy personave, që do të ishin negociatorë, siç ishin z. Bardhi dhe z. Paloka, të cilët pothuajse shkuan drejt unifikimit të qëndrimit për të pasur kandidatët e përbashkët, por pa ndonjë arsye të fortë nuk u arrit që të konkludohej, unë them që ekziston mundësia dhe kjo mundësi mund të shfrytëzohet duke bërë edhe disa arnime, disa ndryshime të kandidatëve që kanë dalë deri më sot”, tha Mziu.

LEXO EDHE:
Fotot/ Mziu ‘bashkon’ PD, dy grupimet në një drekë, mungon Basha dhe Alibeaj. Tabaku: Dolli për mendimin ndryshe (Kush mori pjesë)

Sipas tij, në komunikimet që ai ka pasur me përfaqësues të grupimit të Alibeajt, ata janë dakord me një pjesë të konsiderueshme të kandidatëve të dalë nga primaret, por ka disa të tjerë, që mund ta përfaqësojnë denjësisht PD-në në zgjedhjet e 14 majit.

“Edhe në komunikimin që unë bëj me grupimin e z. Alibeaj, edhe ata janë dakord me një pjesë të konsiderueshme të kandidatëve që mund të përfaqësojnë të gjithë PD-në, apo opozitën e bashkuar, por ndërkohë ka edhe disa kandidatë të tjerë, të cilët nuk janë pjesë e konkurrimit, por që mund të na përfaqësojnë denjësisht. Në të gjitha komunikimet që ne bëjmë, janë të gatshëm për të gjetur këtë lloj modaliteti bashkëpunimi, që në disa bashki të përdoret ose instrumenti i sondazhit, ose i opinionit që jo vetëm të jenë të përfaqësuar thjesht për të pasur një emër, por persona, të cilët sot mundet të jenë të propozuar apo të papropozuar, ose që s’kanë marrë pjesë në Foltore, eksponentë ose politikanë, ose publikë, të cilët realisht e maksimalizojnë votën, që kanë aksione më të mëdha. Janë të identifikuara pak a shumë se kush mund të jenë ato zona, por besoj që muaji janar do të jetë objekt bisede për të konkluduar te këta persona që mund të jenë kandidatët e përbashkët për datën 14 maj”, tha Mziu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë