Politike

Fjalimi në KiE, kryetarë grupesh refuzuan darkën. Rama: U ra si rrufe në qiell të pastër

Fjalimi 60  minutash i kryeministrit Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës la jo pak deputete të pakënaqur kryesisht nga ato vende që nuk e njohin ende Kosovën si shtet, por edhe te tjera vende që kanë konflikte dypalëshe me partnerë të Shqipërisë

Pas punimeve ishte parashikuar edhe një darke me krerët e grupeve ku pati edhe nga ata që e refuzuan publikisht.

LEXO EDHE:
– Debati / “Po më duket vetja si në Kuvendin e Shqipërisë”, replikat e Ramës në KiE për raportin, Turqinë dhe rolin e Hagës
– Fjalimi i Ramës në KiE, Berisha: Rama, anti-shqiptar!
– Kurti: Nuk e dëgjova Ramën në KiE! Mustafa: Edi meriton falënderim
– Rama pas fjalës në Kie: E vërteta e Kosovës nuk mund të fshihet
– Raporti i Dick Marty/ Rama në KiE: Pse s’u hetuan akuzat ndaj UÇK, thirreni Kosova jo Kosovo, bëjeni anëtare
– Rezoluta e Dick Marty, kërkesa e Ramës ndaj Këshillit të Europës dhe çfarë ndodh më pas

Belind Këlliçi publikoi në Facebook ftesën refuzuese të njërit prej tyre që përfaqësonte grupin e Partive Popullore Europiane dhe Kristiandemokrate (PPE/DC).

“Me keqardhjen time të thellë, pas ndërhyrjes sot pasdite në Kuvend të Kryeministrit të Shqipërisë Z. Edi Rama, Komiteti Presidencial ka marrë vendim për të refuzuar ftesën e Kryeministrit për një darkë pune”, tha kreu i këtij grupi, Aleksandër Pociej

Pergjigja e PPE/ DC

Kryeministri Edi Rama i kërkoi Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që (në mos të rrëzohet), të rishikohet rezoluta e miratuar 11 vjet më parë, mbi bazën e raportit te Dick Marty-t me argumentin se trafikimi i qenieve njerëzore, akuza më e fortë në raport, nuk u vërtetua asnjëherë.

Raporti i miratuar 11 vjet me parë edhe nga disa deputetë ende pjesëtarë të Asamblesë u cilësua një gabim nga ana e Ramës porse nuk ishte kurrë vonë për tu ndrequr.

Vetë Rama e ka pranuar në një reagim në Facebook faktin se disa prej të ftuarve të mërkurën nuk morën pjesë, duke ironizuar vendimin e tyre.

“Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg, megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja. E mirëkuptueshme. S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve!

Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë  e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri…”, shkruan ai.

Rama nuk e ka pritur mire as reagimin e të djathtës në Shqipëri duke filluar nga Berisha e deri tek Këlliçi që postoi edhe ftesën rrezuese të PPE.

“Por është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra!”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë