Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas publikimit të mekanizmit me anë të të cilit funksionon aplikacioni i Partisë Socialiste ‘Aktiv1sti’ dhe të dhënat e përdoruesve të tij.
Rama tha se PS do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen dhe manipulimin e të dhënave.
“Partia Socialiste do të ndjekë në rrugë ligjore nxjerrjen, manipulimin dhe fabrikimin e të dhënave të rrjetit social të aktivistëve të saj, i cili është lehtësisht i verifikueshëm si një mekanizëm komunikimi i brendshëm mbi bazën e vullnetarizmit të çdo përdoruesi.
LEXO EDHE:
– Berisha: Pjesë e ‘Aktiv1stit’, 32 prokurorë e policë
– Lum ankesash / Administrata ‘falet’ tek aplikacioni ‘Aktiv1st’ i PS. ISP: Presion politik, shkelje e ligjit dhe cenim i të drejtave
Çdo përpjekje e dëshpëruar propagandistike për të hedhur edhe më shumë baltë mbi PS thjesht na rrit dëshirën dhe na forcon vullnetin tonë në rrugën e një fitoreje tjetër kuptimplotë, më 14 maj, kur falë edhe rrjetit tonë social të aktivistëve Partia Socialiste do të jetë shumë hapa përpara kundërshtarëve të çoroditur e të dëshpëruar”, shkruan Rama.
Ndërkohë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta aplikacionin ‘Aktiv1sti’ e quajtur një mjet shantazhi, intimidimi dhe presioni në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Meta tha se skandali bëhet edhe më i madh “kur zbulohen se pjesë e listës së aplikacionit janë të paktën 40 prokurorë dhe 27 gjyqtarë, anëtarë të KLP, KLGJ, SPAK dhe të institucioneve të tjera kyçe të reformës në drejtësi, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit në Tiranë dhe qarqe, mjekë, infermierë dhe mësues, punonjës të tatimeve, doganave etj”.
Kreu i PL theksoi se “keqpërdorimi i punonjësve të administratës publike dhe institucioneve më të larta të drejtësisë në funksion të propagandës së gënjeshtërt të “Rilindjes” dhe të zgjedhjeve vendore të 14 majit, nëpërmjet shantazhit, intimidimit dhe presionit, meriton një hetim të thellë dhe të gjithanshëm”.
Meta tha se ky është një “turp”, pasi ‘Aktiv1sti’ “është një organizatë kriminale për të mbajtur një bandë në pushtet”.
“Përdorimi antikushtetues i shtetit për qëllime tërësisht elektorale nga ana e Kryeministrit është një dëshmi serioze dhe skandaloze e degradimit, e kompromentimit dhe e shkallmimit të reformës dhe meritokracisë në administratën publike”, tha Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje