Ilirjan Celibashi vendosi të enjten atë që në fakt vetë palët brenda PD-së e dinin më herët. Dhe jo vetëm ata.
Se Sali Berisha nuk mund të regjistrohej si kryetar i PD-së sa kohë që edhe vetë Apeli në vendimin e fundit e njihte palën e përfaqësuar prej tij si Komisioni i Rithemelimit.
Në anën tjetër, në bazë të ligjit për partitë politike dhe Kodit Zgjedhor PD-ja zyrtare ishte ajo e regjistruar në regjistrin e partive politike në gjykatë me kryetar Lulzim Bashën.
Ndaj këtij të fundit nuk kishte mbërritur një kërkesë për ta ç’regjistruar sa kohë që pala zyrtare përgjatë një viti ( me apo pa dëshirën e saj) nuk kishte mbledhur strukturat për të zgjedhur kryetarin e ri.
Ndaj dhe Ilirjan Celibashi, jo më kot, tha disa herë se nuk është ai që vendos as për partinë dhe as për kryetarin, por gjykata.
Deri këtu, pala e PD së Berishës, pavarësisht interpretimit ligjor që dha, e kishte të qartë argumentin.
Edhe PD-ja e Enkelejd Alibeajt. Por ajo që ngeci në regjistrimin e PD-së zyrtare ishte dokumentacioni. Ajo që në fakt e ka paralajmëruar në disa artikuj të fundit edhe Gazeta “Si” . Që lidhet me autorizimin e parashikuar në nenin 64 të Kodit Zgjedhor.
Partia Demokratike e Lulzim Bashës nuk u regjistrua nga Komisioneri i Zgjedhjeve sepse mungonte një dokument i tij për angazhimin e shprehur si kryetar në një nga pikat e nenit 64 të Kodit, që lidhet me mos blerjen e votave.
A e kishte plotësuar Basha këtë angazhim? Referuar dokumenteve që disponon Gazeta “Si” mbi kërkesën për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, vetë Basha kishte autorizuar Alibeajn (që për llogari të tij) të nënshkruante angazhimin në fjalë.

Por në argumentin e Celibashit këtë gjë duhet ta bëntë vetëm Basha si kryetar i partisë.
Deklarata e angazhimit, sipas argumentit të Celibashit, njihet si ‘përgjegjësi’ e kryetarit të Partisë, që nuk mund të delegohet, dhe si e tillë duhet plotësuar vetëm nga ai.
Sipas Celibashit, gjatë autorizimit duhej vendosur edhe data e zgjedhjeve jo vetëm “për zgjedhjet vendore”
Ilirjan Celibashi i dha 48 orë kohë PD-së së Bashës që ta plotësojë dokumentacionin.
Pikëpyetja që mbetet është se a mundet dot Lulzim Basha ta riformulojë autorizimin dhe mbi çfarë statusi? Ai është kryetar i dorëhequr sipas statutit të PD-së referuar argumenteve që solli Gazment Bardhi pak ditë më parë
Jo me kot në rastin e autorizimit të Enkelejd Alibeajt ai kinse e kishte lëshuar deklaratën para një viti (18 mars 2022) pak ditë para së të jepte dorëheqjen.
Tani që Basha është dorëhequr, rregullat ndryshojnë, duke i lënë vend interpretimeve juridike.
Ndaj dhe Lulzim Basha me apo pa dëshirën e tij (deri në botimin e ketij artikulli) është para dy alternativash: Ose të çojë PD në zgjedhje me emrin e tij kryetar (siç figuron formalisht në gjykatë) dhe të zhbëjë po më letra të gjithë autorizimet e deritashme, ose PD-ja me atë dokumentacion të cunguar (në syrin e Celibashit) nuk mund të regjistrohet në zgjedhje.
Rrugë tjetër sa duket tani për tani nuk ka.
Jo më kot Indrit Sefa përfaqësuesi i PD-së zyrtare të Alibeajt në KQZ tha se do ta apelojë vendimin e Celibashit në KAS brenda dy ditësh.
Se çfarë vendos KAS kjo është çështje tjetër, apo më pas Kolegji Zgjedhor si hallka e fundit e ankimimit.
Ajo që dimë deri më tash (9 mars 2023) është se Lulzim Basha me apo pa dëshirën e tij duhet të çojë PD-në në zgjedhje. / N.P
Neni 64 i Kodit Zgjedhor (me bold angazhimi që duhet të plotësojë Basha)
Regjistrimi i partive politike në zgjedhje:
1. Çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
2. Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ:
a) vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë;
b) emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët;
c) emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë;
ç) specimenin e vulës së partisë;
d) emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë; dhe
dh) emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në;
e) deklaratën me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet nga KQZ-ja.
Angazhimi i Lulzim Bashës referuar asaj që ka dorëzuar PD e përfaqësuar prej tij në KQZ per piken e, neni i mesiperm.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje